Në të gjithë Gjermaninë, një grevë e gjerë paralajmëruese nga disa sindikata filloi në mesnatë. Trafiku me trena, autobusë dhe aeroplanë do të ndalet kryesisht këtë të hënë. Pothuajse të gjitha aeroportet gjermane janë në grevë, përveç Aeroportit të Berlinit.
Sindikata Verdi kërkon 10.5 për qind dhe të paktën 500 euro më shumë paga mujore për rreth 2.5 milionë punonjës të sektorit publik.
Transporti publik pothuajse është ndërprerë plotësisht në Baden-Württemberg , Hesse, Saksonia e Poshtme, North Rhine-Westphalia, Rhineland-Pfalz, Saksonia, shkruan Indeksonline.
“Deutsche Bahn” e quajti grevën e EVG-së plotësisht të tepruar, të pabazë dhe të panevojshme. Ajo i bëri thirrje sindikatës që të kthehet menjëherë në tryezën e bisedimeve në interes të punonjësve dhe klientëve.
Greva filloi të dielën në aeroportin e Mynihut. Nuk kishte trafik të rregullt pasagjerësh. Trafiku i rregullt i pasagjerëve do të pezullohet të hënën edhe në Frankfurt për shkak të grevës.
Shoqata e pasagjerëve Pro Bahn këshilloi udhëtarët hekurudhor që të punojnë nga shtëpia të hënën./Indeksonline/