Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka dhënë detaje rreth numrit të personave të cilët janë shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e spitalet tjera rajonale e që janë të prekur me koronavirus. Hoti theksoi se kapacitetet spitalore janë duke u shterrur.
Hoti tha se rreth 570 kosovarë janë të shtrirë në QKUK e spitale rajonale, ndërkohë që shteti, sipas Hotit, ka në dispozicion 700 shtretër.
Në bazë të kësaj llogaritje janë vetëm 130 shtretër të lirë për pacientët me Covid-19.
“Ne po bëjmë të pamundurën brenda shërbimit spitalor që të krijojmë kapacitetet. Ta prandalojmë situatën. Ndërkohë që po flasim janë 570 qytetarë të shtrirë në Qendrat Klinike dhe Universitare dhe ne kemi diku rreth 700 shtretër në disposicion. Ne ndoshta duhet që t’i mbyllim disa klinika në mënyrë që ta bëjmë një riorganizim”, ka deklaruar Hoti.
Si pasojë e gjendjes së rënduar me koronavirus në Kosovë, sot Hoti ka mbajtur takim me Komitetin për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës Emergjente nga COVID-19.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Instituti Kombëtar i shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se janë konfirmuar 237 raste të reja me koronavirus dhe kanë vdekur 5 pacientë të infektuar.