Mbi 800 pacientë në gjithë Kosovën janë të hospitalizuar nga sëmundja Covid-19, që e shkakton koronavirusi. Kapacitetet spitalore janë të mbushura, thonë zyrtarë shëndetësorë.
Kjo për faktin se një spital i veçantë për këta pacientë, ndonëse i domosdoshëm në këtë kohë kur numrat e të infektuarve po rriten çdo ditë, ai ende nuk është gati, përkundër premtimeve të bëra që nga fillimi i pandemisë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Izet Sadiku, tha për Radio Kosovën se mundësitë e hospitalizimit për pacientë të rinj në Klinikën Infektive, janë vetëm aq sa lirohen shtretër gjatë ditës.
Kjo ka bërë që të rriten kapacitetet në klinika të tjera si në atë të pulmologjisë, interno e mjekësisë sportive.
‘’ Kapacitete janë të stërmbushura. Ne kemi mbajtur takime të vazhdueshme, dhe janë klinikat si ajo sportive, pulmologjike dhe ajo e internos që aktualisht po pranojnë pacientë. Pacientët që kanë nevojë, janë duke u hospitalizuar në këto klinika. Këto klinika pra janë klinika për Covid-19’’, tha Sadiku.
Ai shtoi se në Klinikën Infektive janë 4 pacientë në njësinë intensive, derisa 90 për qind e numrit total janë në oksigjeno-terapi, dhe shumica e pacientëve janë në forma të rënda klinike.
Ndërkaq drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka thënë se është rritur numri i personave që po kërkojnë hospitalizim.
Andaj ai shtoi se çdo rritje e numrit të të infektuarve që kërkon hospitalizim, do të cenojë shërbimin e një pacienti tjetër.
Megjithatë ai shton se nëse vazhdon kjo rritje e numrit të personave të infektuar, atëherë do të detyrohen t i ndërprenë shërbimet shëndetësore jo emergjente.
‘’ Çdo pacient që shtrihet, detyrimisht do të cenojë shërbimin e një pacienti tjetër. Kjo është gjendja aktuale në spitale’’, tha Krasniqi.
Sidoqoftë, sidomos në dy javët e fundit, në Kosovë është rritur numri i testimeve për COVID-19 dhe po ashtu është rritur edhe numri i të infektuarve dhe i të vdekurve.