Antidroga e Policisë së Kosovës sot ka arrestuar dy persona të dyshuar, SH.I., dhe F.A., të cilët janë kapur me rreth 2 kilogramë drogë të llojit heroinë, shkruan Gazeta Sinjali.
Policia njoftoi se pas informacioneve se i dyshuari me inicialet Sh.I., është duke bërë shitblerje të substancave narkotike dhe se i njëjti po ashtu ka edhe urdhër-arrest aktiv të Gjykatës Themelore të Gjilanit për vuajtje të dënimit prej 18 muaj e 40 ditë burg efektiv, i njëjti është arrestuar në rrugën “Shaban dhe Sami Ukshini”.
Në komunikatë thuhet se gjatë ditës së sotme, hetuesit e antidrogës në Gjilan, me urdhër të gjykatës kanë bastisur/kontrolluar shtëpinë e një të dyshuari tjetër me iniciale F.A., nip i të dyshuarit SH.I., pasi i njëjti dyshohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotropike”.
Gjatë bastisjes në këtë lokacion në cilësi të provave materiale, Policia njoftoi se janë gjetur dhe sekuestruar një peshore elektronike (digjitale) si dhe 17 (shtatëmbëdhjetë) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Po ashtu, bastisje është kryer edhe në banesën e të dyshuarit të parë Sh.I., në rrugën “Hamdi Kurteshi”, me ç’rast në cilësi të provës materiale është gjetur dhe sekuestruar një peshore elektronike (digjitale) si dhe (5) pesë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit Heroinë.
Pas matjes së substancës së dyshuar narkotike ka rezultuar se: 17 qeset me heroinë kanë peshuar 1 kg e 713.8 gramë kurse pesë 5 qese me heroinë të sekuestruara në banesë kanë peshuar 30.6 gramë.
Policia ka njoftuar se si provë/dëshmi që mund të ndërlidhen me rastin është sekuestruar edhe një veturë Golf 4, ngjyrë hiri, e të dyshuarit Sh.I.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.