Nga data 14 korrik, Qeveria e Kosovës ka vendosur masa strikte për mbrojtje nga COVID-19. Madje, për qytetarët që nuk respektojnë masat e vendosura nga shteti, janë shqiptuar edhe dënime. Inspektorati Sanitar i Kosovës, që u kritikua nga Kryeministri Hoti para disa ditësh se janë selektivë në gjoba, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nga data 14 korrik e deri më 23 gusht kanë kryer gjithsej 11 mijë e 392 inspektime në tërë territorin e Kosovës.
Rritja e numrit të rasteve pozitive me koronavirus dhe numri i madh i vdekjeve kishin detyruar Qeverinë vendosjen e masave strikte për qytetarët e bizneset në vend.Vendosja e maskës dhe mbajtja e distancës fizike ishin rekomanduar që nga shfaqja e rasteve të para me koronavirus në Kosovë, por pasi qytetarët nuk i respektuan, këto masa u bënë obligative.
Madje, nga 14 korriku, do të dënoheshin të gjithë qytetarët që nuk vendosnin maskën në hapësirat publike, nga momenti i daljes nga shtëpitë e tyre.Dënime ka edhe për pronarët e lokaleve në të cilat nuk mbahet distanca fizike.Masat e ndërmarra u bazuan në Ligjin për luftimin e sëmundjeve ngjitëse, nga ku bazoheshin edhe masat ndëshkimore për ata që nuk respektonin vendimet e shtetit.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka thënë për Express se janë shqiptuar gjoba ndaj të gjithë atyre që nuk i kanë respektuar vendimet e Qeverisë.“Mbikëqyrja ne zbatim të masave është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe inspektoratet e nivelit qendror dhe atij lokal. Ndaj të gjithë shkelësve të masave të vendosura nga qeveria janë shqiptuar gjoba”, ka thënë Thaçi.
Inspektorët sanitarë në fillim të muajit u kritikuan publikisht nga Kryeministri Hoti i cili tha se ata janë treguar selektivë kur kanë dalur të inspektojë.“Me shqetësim pranova informatën se në raste të caktuara, inspektorët janë selektiv ndaj atyre që nuk respektojnë masat. Kjo nuk do të tolerohet. Nesër do të kem raport me shkrim nga institucionet përkatëse” kishte thënë Hoti.
Por, Thaçi ka deklaruar se Inspektorati Sanitar ka lëshuar vendime për izolim dhe dalje nga izolimi si dhe urdhëresa për dezinfektim.“Inspektorati Sanitar i AUV ka lëshuar vendime për izolim dhe urdhëresa për dezinfektim, ku gjatë kësaj periudhe kohore janë si vijon:
Inspektime në subjektet afariste hoteliere, operatorëve të biznesit, çerdheve , shkollave , institucioneve arsimore, aeroporteve, pikave kufitare etj, Lëshimin –nxjerrjen e Vendimeve për izolim për personat që konstatohen se janë të prekur me COVID 19, Lëshimin e Vendimeve për personat fizik në kohën që tejkalojnë fazën e izolimit- shërimit (në momentin që vlerësohen si të shëruar) Mbikëqyrjen e procedurave të varrimit për personat që kanë vdekur nga COVID 19”, ka deklaruar Thaçi.
Thaçi ka treguar se nga dita e mërkurë, organet kompetente për shqiptimin e masave ndëshkimore do të vazhdojnë me Ligjin e ri që ka hyrë në fuqi.“Nga data 26.08.2020 me hyrjen në fuqi të LIGJIT NR. 07/L-006 PËR PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E PANDEMISË COVID-19 NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, Organet kompetente për shqiptimin e masave ndëshkimore, kanë filluar gjobitjen e shkelësve bazuar në ketë ligj”, ka thënë Thaçi.Ndërkaq, nga data 14 korrik deri më 23 gusht, ISK ka kryer 11 mijë e 392 inspektime, nga të cilat janë shqiptuar 1 mijë e 946 gjoba për personat fizikë e 439 për personat juridik.
“Ndërsa fillimi i shqiptimit të gjobave mandatorë qe ne si autoritete kemi nisur me datë 14.07.2020 deri me 23.08.2020, nga Inspektorati Sanitar i Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë janë shqiptuar gjobat si vijon: Gjithsej 11392 inspektime, 1946 gjoba për personat fizik, 439 për personat juridik, 1769 vendime për izolim, 835 vendime për dalje nga izolimi, 258 raste të mbikëqyrjes së procedurave të varrimit”, ka deklaruar Thaçi.Dënimet të cilat i kanë shqiptuar inspektorët e ISK-së dhe Policia deri më 23 gusht, janë të parapara me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, ku Qeveria e Kosovës është bazuar kur ka marrë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.Ndërkaq nga data 25 gusht, ka hyre në fuqi Ligji i ri për luftimin e COVID-19.Në bazë të këtij Ligji, çdo person që nuk mban maskën dënohet me 35 euro, kurse ai që s’e respekton ndalim-qarkullimin do të dënohet me 200 euro.Personat që nuk respektojnë izolimin do të dënohen me 500 euro.
Vendimi i Qeverisë i cili obligon qytetarët të mbajnë maskë dhe të respektojnë distancën fizike ka hyrë në fuqi nga 14 korriku.