Nga 1 janari 2024, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen. Lidhur me këtë çështje, ka pasur dilema të shumta se sa para duhet të kenë qytetarët me vete apo të deponuara në bankë, për të realizuar udhëtimet.
Me këtë rast, faqja Integrimi Evropian i Kosovës bën të ditur se shuma e dëshmive financiare varet nga numri i ditëve të qëndrimit dhe shteti i cili vizitohet dhe nga ajo se a do qëndrohet në hotel apo te të afërmit.
Sipas njoftimit, nëse qytetari vendos të qëndrojë te një i afërm, shuma e mjeteve është 30-50 euro në ditë për person. Ndërkaq, nëse qëndrimi është në hotel, atëherë shuma është rreth 50-100 euro për person.
“Si udhëtar/e, me të arritur në pikën e parë kufitare të Shengenit, nga policia kufitare juve mund tju kërkohet nëse keni dëshmi të mjaftueshme financiare për udhëtimin tuaj. Sasia e këtyre mjeteve varet nga dy grupe faktorësh: 1) nga numri i ditëve që do të qëndroni dhe shteti të cilin e vizitoni dhe 2) nga ajo nëse do të qëndroni në akomodim me pagesë si hotel/apartment apo tek të afërmit tuaj. Nëse deklaroni se do të qëndroni tek të afërmit tuaj duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve është rreth 30 – 50 EUR në ditë për person. Nëse deklaroni se do të qëndroni në një hotel apo apartment apo çfardo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve që duhet të ofroni si dëshmi financiare është rreth 50 – 100 EUR në ditë për person”, bëhet e ditur në njoftim.
Tutje theksohet se verifikimi i mjeteve të mjaftueshme financiare mund të bëhet përmes parave të gatshme, kartelës bankare, kartës së kreditit apo çfarëdo dëshmie që tregon kostot e udhëtimit.
“Akomodimi nga miqtë apo familjarët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikëpritësin me telefon ose duke verifikuar adresën e tyre përmes policisë. Derisa, verifikimi i mjeteve të mjaftueshme financiare mund të bëhet në disa forma duke ju kërkuar të tregoni para të gatshme (cash), kartelë bankare, kartë krediti, letër konfirmimi nga një konferencë apo seminar që mbulon shpenzimet tuaja për akomodim e ushqim, dëshmi për pagesën e hotelit apo çfardo konfirmimi a dëshmie tjetër për kostot tuaja gjatë udhëtimit”, bëhet e ditur në njoftim.
Siç bëhet e ditur, çdo shtet i Schengenit përcakton shumën, dhe “shuma ditore dallon nëse vizitoni Greqinë, Kroacinë apo nëse vizitoni Zvicrën apo Norvegjinë”.
Një tabelë me shumat referente mund ta shihni KËTU.
“Për fund, ju nuk keni nevojë të keni të deponuara sasi të caktuar të mjeteve në bankë, por ju duhet të dëshmoni që keni mjete të mjaftueshme financiare për të mbuluar qëndrimin tuaj atje duke përfshirë kostot për kthimin në Kosovë”, përfundon njoftimi.