Karateisti i njohur gjilanas, Elhami Shabani, medalist i bronztë në Kampionatin Evropian të Karatesë, ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e tij, këtë herë në fushën akademike.
Ai ka përfunduar me sukses studimet e doktoratës, duke fituar titullin Doktor i Shkencave Sportive, një arritje që vjen si rezultat i viteve të përkushtimit, disiplinës dhe punës së palodhur, duke dëshmuar se suksesi i tij shtrihet si në arenën sportive ashtu edhe në atë shkencore.
Shkrimi i plotë:
Me përkushtim, disiplinë dhe këmbëngulje, sot përmbyll një nga arritjet më të rëndësishme të rrugëtimit tim akademik doktoratën.
Ky sukses është fryt i viteve të punës së palodhur, sakrificës dhe vendimit për të mos u dorëzuar kurrë, pavarësisht vështirësive.
Doktorata ishte më shumë se një proces studimi, ishte një provë karakteri, durimi dhe force mendore. Çdo sfidë më forcoi dhe më çoi një hap më afër qëllimit.
Falënderimi së pari i takon Zotit për forcën dhe udhëzimin. Mirënjohje e veçantë familjes sime për mbështetjen e pakushtëzuar, si dhe profesorëve e mentorëve për profesionalizmin dhe kontributin e tyre.
Ky nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri me përgjegjësi më të mëdha dhe ambicie më të larta.
Me respekt,
I juaji,
Dr. sc. Elhami Shabani

