Dr. Pleurat Sejdiu
Mbase kam një kredibilitet moral për ta bërë këtë postim — për ta ndarë këtë mendim që më vjen nga përvoja personale. U largova nga Kosova në moshën 18-vjeçare dhe u ktheva në vend si 36-vjeçar. E njoh mallin e thellë të mërgimtarit: për nënën, babanë, vëllanë dhe motrën. E njoh mallin për gurët dhe drunjtë e këtij vendi — për gjithçka që ka emrin “shtëpi”.
Për këtë arsye, më dhemb thellë kur shoh se shumë prej mërgimtarëve tanë, të cilët mbajnë Kosovën në zemër pavarësisht largësisë fizike, trajtohen ende me logjikën e të huajit në vendin e tyre. Të detyruar të paguajnë për një “karton të gjelbër” sa për disa kilogramë qershi, sikur të ishin të panjohur apo të përkohshëm.
Ky trajtim nuk është thjesht një çështje burokratike. Është një formë e mjerimit institucional dhe një poshtërim moral për njerëzit që, pavarësisht jetës së ndërtuar jashtë, mbesin të lidhur ngushtë me atdheun.
Kosova nuk ka nevojë për atë që bartet në valixhe, por për atë që bartet në mendje e zemër. Ajo ka nevojë për një mjek më shumë. Ka nevojë për inxhinierë, mësues, specialistë dhe profesionistë që e duan këtë vend dhe janë të gatshëm të kontribuojnë.
Është koha që të ndalojmë t’i shohim mërgimtarët si burim të të ardhurave sezonale dhe të fillojmë t’i trajtojmë si pasurinë më të madhe të shpërndarë jashtë kufijve. Jo me procedura poshtëruese, por me politika mirëseardhjeje dhe respekti.