Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas ngjarjes tronditëse që ndodhi sot në Kamënicë, ku një grua dyshohet se u mbyt nga bashkëshorti i saj.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Kastrati u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës dhe ka thënë se nuk ka tronditje më të madhe sesa të dëgjosh për vrasje në martesë, aty ku njeriu do të duhej ta gjente sigurinë më të madhe.
Sipas tij dhuna në familje është rezultat i rrethanave të shumta, por ai thotë se si shoqëri kemi dështuar të bëjmë mjaftueshëm për ta dënuar këtë dukuri e për të luftuar faktorët që çojnë tek ky problem.
42 -vjeçari nga Kamenica dyshohet se e mbyti gruan e tij me shufër metalike.
Ky është postimi i plotë i Kastratit:
Nuk ka tronditje më të madhe sesa të dëgjosh për vrasje në martesë. Aty ku njeriu do të duhej ta gjente sigurinë më të madhe, mirëkuptimin më të lartë e dashurinë…kur aty ndodhë vrasja…është ferri vet.
Ndjehem thellësisht i tronditur, i dëshpëruar e me mllef në lidhje me një ndodhi të pazakontë që ngjau sot në Kamenicë, ku një gruaje i është marrë jeta në mënyrën më mizore nga bashkëshorti.
Dhuna në familje është rezultat i rrethanave të shumta, mirëpo problemi ende qëndron në mungesën e seriozitetit në trajtimin e kësaj dukurie. Kemi dështuar si shoqëri të bëjmë mjaftueshëm për ta dënuar këtë dukuri e luftuar faktorët që çojnë tek ky problem. Kjo duhet të na turpërojë e alarmojë.
Ngjarja e sotme është një akt i papranueshëm të cilin e denoj fuqishëm! Si Qëndron dhe si institucion mbetemi thellësisht të angazhuar dhe të përkushtuar në mbrojtjen e jetës, respektimit të dinjitetit, të drejtës së jetës dhe gëzimit të saj nga të gjithë, e veçanërisht grupeve të cenuara.
Shpreh ngushëllimet më të thella familjes së viktimës!