Shkruan: Avni Rudaku
1. Prokuroria bëri gabim të thellë, duke shkëputur shkelje ligjore, vetëm dy veprat nga Kodi Penal: “Sulm dhe Bashkëkryerje”, “Mosdenoncim”, e më vonë edhe “Regjistrim Audiovizuel i Paautorizuar”. Në fakt, sjellja e infermiereve e punonjëseve sociale në Qendrën e të Moshuarve mbulon këto vepra penale të shumta si në vijim: Torturë, Ngacmim, Lëndim i lehtë trupor, Lëndim i rëndë trupor, Sulm, Mosdhënie e Ndihmës, Bashkëkryerje, Dhunë grupore dhe e organizuar, Shkelje e privaticitetit… Nëse konsiderohet sulm, dënohet fare pak. Gjithashtu, është vepër penale e shumëfishtë: ka sulme, ngacmim, lëndim, torturë… Duhet dënim për më shumë vjet, sepse vetëm “Sulm”, dënohet fare pak.
2. Ka shkelje të Kodit Penal.
3. Ka shkelje të Kodit Etik të Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve Shëndetësorë.
4. Ka direkt paragjykim, stereotip dhe diskriminim.
4.1. Ka ableizëm, diskriminim me bazë aftësitë e kufizuara.
4.2. Ka ejxhizëm, diskriminim me bazë moshën kalendarike.
4.3. Tiktokizëm, diskriminim për TikTok-un e vuajtjen për vëmendje sociale, qoftë edhe me “prank”.
5. Thyerje e stereotipit feminist, që gratë nuk janë të dhunshme dhe agresive, por vetëm burrat!
6. Thyerje e stereotipit se të bukurit dhe të bukurat nuk janë kurrë të këqij/a. Vajza protagoniste duket mjaft e pashme, por e tmerrshme pas veprës së dyshuar penale.
7. Korrupsion etik, abuzim me autoritetin, autorizimin, detyrën.
8. Amatorizëm në profesion, deklarimi nga kryerësja se me personat me Alzheimer, duhesh të tregohesh dominante.
9. Bullizëm ndaj të moshuarve, e thyerje e stereotipit se ka vetëm bullizëm ndaj fëmijëve.
10. Personi që xhiron, në vend të ndihmës e denoncimit, bëhet kameramane. Abuzon me teknologjinë.
11. Sensibilizim publik, se deri tash, familjarët e pacientëve kanë luajtur rolin e infermierëve, në shumicën e rasteve, sikur kam shkruar para shumë kohësh, në vend se ta bënin kujdesin ndaj pacientëve, kryesisht infermierët. Familjarët kujdestarojnë ditën e natën, i pastrojnë e ushqejnë, i bartin prej një vendi në vendin tjetër, familjarët e tyre pacientë, e shumë infermierë/e veç sorollaten korridoreve, zyrave, dhomave, me kafe turke, thashethema, TV seriale etj.
12. Thyhet stereotipi se në qendrat e spitalet private, gjithsesi ka cilësi, se publikja është veç e keqe.
13. Pavarësisht rastit, u stereotipizua negativisht çdo infermiere, e në fakt, është përtaci kognitive. Jo të gjithë dhe të gjitha infermieret janë shkelëse të Kodit Etik. Shumë prej tyre janë të mirësjellshëm e profesionistë/e.
14. Autoracizmi, se veç neve si racë e popull na ndodhi kjo, e jo çdokush, çdo popull, racë, etni, komb, shtet, mund të preket potencialisht nga ky tip skandali tronditës.
15. Izolimi, se veç te ne ka raste të tilla, e jo kudo në botë.
16. Amatorizmi i diskursit publik dhe analizave të rasteve si ky, nga shumica e analizave e komenteve që lexova.
17. U vë në pah me të drejtë, si shkas i këtij skandali, se ndaj të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara fizike e mendore, duhet investime në infrastrukturë, kujdes dhe qasjes më profesionale.
18. Askush nuk propozoi shpalljen Qytetare Nderi dhe Heroinë, të aktores që kishte guxim për ta ndarë videon shokuese.
19. Se veç fetarët kujdesen mirë për të moshuarit, duke postuar foto të humanistit me sfond fetar, nga praktikantët fetarë, e duke krijuar stereotipa për afetarët dhe ateistët. Pavarësisht bamirësisë së një fetari, ka edhe të tjerë që nuk janë fetarë, e mund të sillen mirë me të moshuarit.
20. Harresa kolektive se, vetëm infermierët mund të abuzojnë me pacientët, e jo edhe politikanët me qytetarët e votuesit, e jo edhe punëdhënësit me punëmarrësit, e jo edhe edukatoret me fëmijët, e jo edhe mësuesit/asistentët/mësimdhënësit/profesorët me nxënësit/studentët, e jo edhe shitësit me konsumatorët, e jo edhe psikologët me klientët, e jo edhe prindërit me bijtë e bijat e tyre, e jo edhe bashkëshortët me bashkëshortet e tyre, e jo edhe abejat me sugarët, e jo edhe berberët me “çirakët” (zanatmarrësit për flokëprerje), e jo edhe e kundërta, por më rrallë e më pak raste, për shkak se vartësit gjithmonë janë më të ligshtë se padronët e tyre, patronazhët.
21. Gabimi në të menduar se duhet të besojmë në vetëndërgjegje, vetëkontroll, e jo krijim të mekanizmave për raportim, vetëraportim, denoncim, mbrojtje të sinjalizuesve, vërejtje me shkrim, me gojë, dënime me gjobë, burgim, heqje e licencës përkohësisht e përhershmërisht.
22. Kompleksi i famëkeqit. Askush nuk e shprehu shqetësimim, se si njerëzit po vuajnë gabimisht nga ky kompleks, që veç të bëhen të famshëm, janë në gjendje të fyejnë, bëjnë prenka, bullizojnë, xhirojnë, veç për famë, llajka, komente, monetarizim. U xhirua të bëhet edhe hajgare në TikTok. Çdo moment, mund ta shihni këtë kompleks të pandëshkuar nga lloj-lloj tiktokeri, influenceri, ylli sporti/muzike/aktrimi, jutjuberi, gejmeri, vdekatar i zakonshëm.
23. Se duhet kontroll sistematik të çdo qendre, institucioni, në baza të rregullta. Nëse ka shkelje, të ketë dënime sipas ligjit, përfshirë edhe mbyllje totale në shkelje të mëdha e të pariparueshme. Pra, duhet të dihet saktë se kur dënohen vetëm punonjësit, e të dihet saktë se kur dënohet krejt institucioni, e gjer në mbyllje të pakthyeshme. Duhet të ketë hetime e autorizime për kthim kamerash, të kuptohet se a e kanë ditur pronarët e menaxherët dhe si e kanë adresuar rastin. Nëse kanë qenë në dijeni dhe e kanë heshtur rastin, të ketë hetime zinxhirore. Të ketë hetime edhe për keqtrajtimin eventual të klientëve të tjerë të moshuar. Të intervistohen dëshmitarë, të moshuar të tjerë në Qendër që kanë zotësi juridike e mendore, si dhe familjarët e tyre.
24. Të ketë hetime ndaj komentuesve me komente që kualifikohen vepra penale, qoftë edhe ndaj të dyshuarës, sepse duhet të ketë qasje ligjore dhe humane ndaj shkelësve sado brutalë të jenë. Dikur dënimi ishte për t’i disiplinuar masat e gjera, “të tjerët” dhe “sadizëm e spektakël publik”. Tash të dënuarit dënohen vetëm bazuar në ligj dhe marrin trajtime të duhura humane, qoftë edhe kur ka vepra për burgim të përjetshëm, pasi nuk parashihet dënim me vdekje, siç ka komente të tipit: “Duhet me t’virr n’shesh”! As siç shkroi e dyshuara ose dikush në emrin e saj në një profil fejsbuku: “Po më ngacmojnë të burgosurat e tjera”, pasi askush nuk guxon ta ngacmojë dikë, as ta torturojë, as ta lëndojë fizikisht, sado mizore të jetë sjellja e saj, qoftë në paraburgim, burg a qeli. Zyrtarët e paraburgimit e burgimit, duhen të mbikëqyrin rreptësisht personat e paraburgosur e të burgosur. Sa ma human shteti, sa ma ligjor, qoftë ndaj shkelësve/eve të rëndë, aq më pak krime e recidivizëm.
25. Dhuna, ende shihet mjet pedagogjik në shoqëri. Ende ka besim të madh, e të gabueshëm, se “pa dajak, s’ka asgjë”. Veç “llosi, thupra”, kryejnë punë, ose citime penale: “Dajaku ka dalë prej xhenetit”! Pak kultivohet dialogu për zgjidhjen e problemeve. Ende nuk ka edukim për komunikim efikas e adresim të duhur të problemeve.