Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitet të lartë tri rastet tragjike të tri ditëve të fundit, në një deklaratë në mbledhje të qeverisë të mërkurën.
Shefi i qeverisë tha se është e domosdoshme të vendoset drejtësi për katër viktimat e këtyre tri rasteve.
“Fillimisht dua të ndaj shqetësimin dhe brengën e njëjtë me të gjithë ju këtu të pranishëm dhe bashkëatdhetarët tanë për katër vrasjet e regjistruara në tre ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasve në mënyrë që të vendosim drejtësi dhe të parandalojmë vrasjet në të ardhmen”, tha Kurti.
Sipas Kurti, kjo seri e ngjarjeve duhet të ndalohet.
“Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe e shoqërisë e të cilës ai bënte pjesë, pra e shoqërisë tonë. Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e ngjarjeve që duhet të ndalohet, të ndalet, të dënohet”, u shpreh Kurti.“Na duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne, për secilin prej nesh”.
Kurti, në përmbyllje të fjalës së tij, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
/GazetaSinjali/