Në Berlin të Gjermanisë ka përfunduar Kampionati Europian i Bowlingut, ku Kosova u përfaqësua denjësisht nga Kaula Haziri, e cila arriti një sukses të jashtëzakonshëm në këtë garë të nivelit të lartë.
Haziri siguroi kualifikimin në mesin e 16 lojtareve më të mira në Europë, duke dëshmuar formë të lartë dhe përgatitje serioze. Në këtë fazë, ajo arriti një fitore të madhe ndaj kampiones në fuqi europiane, finlandezes Ema Palerma, duke bërë një nga surprizat më të bukura të turneut.
Në çerekfinale (Top 8), Haziri u përball me francezen Manon Clement, por nuk arriti të avancojë më tej në gjysmëfinale, pas një përballjeje të fortë dhe konkurruese.
Në përfundim, Kaula Haziri u rendit në vendin e 8-të, duke u pozicionuar mes më të mirave në Europë nga gjithsej 57 lojtare pjesëmarrëse nga 32 shtete. Ky rezultat përbën një arritje shumë të rëndësishme për sportin e bowlingut në Kosovë dhe një dëshmi e progresit të vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare.
Ky sukses i radhës vjen si rezultat i punës dhe përkushtimit të sportistes, por edhe i mbështetjes nga Federata e Boulingut e Kosovës, e cila vazhdon të promovojë dhe zhvillojë këtë sport në vend./Radio Star/

