Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ) ka mbajtur të martën takimin e parë për këtë vit, ku ka diskutuar rreth ndarjes së granteve dhe subvencioneve si dhe fillimin e përgatitjeve për shënimin e 8 Marsit, nëpërmjet bashkëpunimit me Drejtorinë e Arsimit.
Sipas Komitetit, ndarja e granteve dhe subvencioneve për gratë ndërmarrëse, nuk është bërë si duhet, sepse ka pasur favorizime në baza partiake.
Komiteti ka kërkuar që të hartohen kritere të veçanta për ndarjen e granteve dhe subvencioneve, në mënyrë që të shmangen mundësitë për favorizimin e kujto qoftë në të ardhmen.
Duhet të ketë kritere të veçanta për ndarjen e subvencioneve dhe grandeve për gratë ndërmarrëse dhe njëherësh Komiteti duhet ta dijë se kush e përcakton komisionin përzgjedhës për ndarjen e subvencioneve dhe granteve, është thënë në KBGJ.
Komiteti ka kërkuar që ndarja e subvencioneve dhe granteve të bëhet në mënyrë më transparente dhe në procesin e përzgjedhjes së përfituesve të marrë pjesë në cilësinë e vëzhgueses edhe zyrtarja për barazi gjinore.
KPGJ ka kërkuar nga drejtoritë të cilat ndajnë subvencione, që të kenë komision profesional për këtë qëllim, që të jenë sa më realë gjatë përzgjedhjes së përfituesve si dhe ndarja të mos bazohet në bindjet politike të aplikuesve. Njëherësh, KBGJ ka kërkuar nga drejtoritë përkatëse që të njihet me listën e përfituesve të subvencioneve dhe granteve.
Sipas kësaj trupe komunale, numri i aplikueseve femra për subvencione dhe grante edhe ashtu është i vogël, meqenëse shumica e pronave figurojnë në emrin e bashkëshortëve.
KBGJ në këtë takim ka diskutuar edhe rreth fillimit të përgatitjeve për shënimin e 8 Marsit, nëpërmjet bashkëpunimit me DKA, me ç`rast ka kërkuar që nga data 4 deri 7 mars, një orë mësimore t`i dedikohet ditës ndërkombëtare të gruas – 8 Marsit, në mënyrë që nxënësit të njihen me kontributin historik të gruas në histori, si nevojë për edukimin e fëmijëve sa i përket rolit të gruas në shoqëri.