Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se nga 30 korriku, biznezet që s’kanë lidhur marrëveshje me furnizuesit e licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, do të mbesin pa furnizim me energji elektrike.
KEK-u ka thënë se pas kësaj date nuk do të ketë më kompetencë për furnizim në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në përputhje me Vendimin e ZRRE-së dhe në bazë të Rregullës për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF), ka filluar furnizimin tuaj me energji elektrike që nga data 01.06.2025, për një periudhë të përkohshme prej 60 ditësh, që përfundon më: Data: 30.07.2025. Pas kësaj date, nëse NUK keni lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar nga ZRRE, do të mbeteni automatikisht pa furnizim me energji elektrike, pasi KEK nuk do të ketë më kompetencë për furnizim në cilësinë e FMF-së”, thuhet në njoftimin e KEK.
KEK-u u ka bërë thirrje bizneseve që të kontaktojnë një furnizues të licencuar nga ZRRE sa më parë, të nënshkruajnë një marrëveshje komerciale për furnizim afatgjatë dhe të sigurojnë vazhdimësinë e furnizimit pas datës 30.07.2025.