Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se zona e saj operacionale është shpallur “Zonë e ndaluar për fluturime”, me theks të veçantë në ndalimin e dronëve. Vendimi është marrë nga KFOR-i dhe ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2025.
Në njoftimin e KEK-ut thuhet se ky hap është ndërmarrë për të rritur sigurinë e infrastrukturës energjetike të vendit, e cila konsiderohet ndër shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes.
“Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj infrastrukture, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së saj. Në këtë drejtim, KEK ka pranuar sot vendimin zyrtar të KFOR-it, me Ref. Nr. BKPR:0736/25, përmes të cilit zona operacionale e KEK-ut është shpallur Zonë e Ndaluar për Fluturime (“No Flight Zone”), me theks të veçantë në sistemet ajrore pa pilot (dronë). Ky vendim ka hyrë në fuqi më datë 01.09.2025,” thuhet në njoftim.
KEK theksoi se ky vendim dëshmon përkushtimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e sektorit energjetik.
“Ky hap përfaqëson dëshmi të qartë të angazhimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të mbështetur sistemin e sigurisë së infrastrukturës energjetike të Kosovës,” theksohet në komunikatë.
Gjithashtu, KEK shprehu mirënjohje për rolin e KFOR-it dhe për mbështetjen e institucioneve të tjera të sigurisë.
“KEK sh.a. falënderon të gjitha institucionet që kontribuojnë në mbrojtjen dhe sigurinë e infrastrukturës energjetike dhe u bën thirrje qytetarëve të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e saj dhe të respektojnë plotësisht të gjitha masat ligjore dhe të sigurisë në këtë drejtim,” përfundon njoftimi.