Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar masën e paraburgimit prej 48 orëve ndaj personit të dyshuar që ishte vozitësi i kamionit për shkak se dyshohet të ketë qenë shkaktar i aksidentit ku vdiq një person dhe mbetën 16 të tjerë të lënduar.
E gjitha ngjarja ka ndodhur në qendër të Gjilanit rreth orës 13:20 minuta, ku një kamion ka humbur kontrollin dhe ka shkaktuar aksident duke përfshirë rreth 10 automjete:
Njoftimi i plotë i prokurorisë:
Në Gjilan, sot, rreth orës 13:20 minuta, ka ndodhur një aksident i rëndë komunikacioni, i cili dyshohet se ka ndodhur për shkak të problemeve teknike të një kamioni transportues.
Prokurori kujdestar, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka urdhëruar policinë që drejtuesi i automjetit transportues, tani i dyshuari M.A., nga Peja, të ndalohet për 48 orë.
Nga ky aksident i komunikacionit, janë përfshirë mbi 10 automjete, ku përpos dëmeve të mëdha materiale, një person ka ndërruar jetë, ndërsa 16 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore, për të cilat kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Regjional në Gjilan, si dhe dy nga të lënduarit janë transferuar në QKUK, në Prishtinë.