Takim pune me përgjegjësit e mirëmbajtjes rrugore, organizuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjilan
Sot, më datë 18 nëntor 2021, major Avni Uruqi, Shef i Operimeve Rajonale në Gjilan dhe kapiten, Sanije Kqiku, shefe e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjilan së bashku me stafin kanë mbajtur një takim pune me përfaqësuesit e dy kompanive që bëjnë pastrimin e rrugëve nacionale dhe rajonale si dhe me menaxherin e Ministrisë së Infrastrukturës z. Zeqiri, që është përgjegjës për rrugët rajonale dhe nacionale.
Në takim është kërkuar nga përfaqësuesit e dy kompanive përgjegjëse për pastrimin e rrugëve që të jenë të gatshëm pasi po afrohet koha kur po hymë në sezonin dimëror, në mënyrë që të mos ketë pengesa në qarkullim të mjeteve në infrastrukturën rrugore të nivelit nacional dhe rajonal.
Përfaqësuesit e kompanive përgjegjëse janë shprehur se janë në gatishmëri të plotë për të menaxhuar dhe intervenuar me kohë në pastrimin e rrugëve.
Takimi u vlerësua i dobishëm dhe konstruktiv dhe u dakordaum që së bashku t’i paraprijmë preventivës në sigurinë rrugore.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e rendit publik dhe ligjit duke ngritur bashkëpunimin me prioritet.
Policia e Kosovës duke zbatuar ligjet e aplikueshme synon në krijimin e një ambienti të qetë për të gjithë qytetarët e saj.