Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, sot, nga Gjykata kompetente në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, ndaj një personi, për shkak të dyshimit se tek i njëjti janë gjetur njëmijë e tridhjetë e katër (1.034) gram narkotikë, e llojit ‘’Marihuanë’’.
Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari B.M. (1975), më 9 korrik 2019, rreth orës 11:30 minuta, në fshatin Rogoçicë komuna e Kamenicës, në drejtim të pikës kufitare Breznicë, pa autorizim dhe me qëllim të shpërndarjes ka poseduar substanca narkotike, me ç’rast gjatë kontrollimit, në automjetin e tij, nga ana e policisë, janë gjetur katër paketime substancë narkotike, dy nën ulësen e vozitësit dhe dy nën ulësen e pasagjerit, në sasi prej njëmijë e tridhjetë e katër (1.034) gram, e llojit ‘’Marihuanë’’, e cila edhe është konfiskuar.
Me këto veprime, dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, me kërkesë të prokurorit të çështjes janë sekuestruar përkohësisht:
– Një (1) veturë, e markës ‘’Mercedes’’,
– Para të gatshme (1,558.75 Euro dhe 500 Lekë), si dhe,
– Tre (3) telefona mobil.