Komisionit për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që t’i rekomandohet shkarkimi i Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Propozimin për këtë rekomandim e prezantoi kryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, i cili ndër të tjera pretendoi se Agron Beka, ka shkelur kodin e etikës dhe ka cenuar rëndë integritetin e pozitës së anëtarit të KPK-së.
Ndër të tjera, kryetari Rrustemi pretendoi se Beka nga koha kur është zgjedhur anëtar jo-prokuror i KPK-së nga Kuvendi i Kosovës, të njëjtit i është ngritur një kallëzim penal nga Policia e Kosovës, se ka përdorur gjuhë të papërshtatshme ndaj mediave dhe shoqërisë civile, ka paditur dy media, ka shfrytëzuar pozitën e anëtarit për tu ngritur në detyrë në Universitetin e Mitrovicës dhe se Agjencia për Parandalim të Korrupsionit ka nxjerrë një vendim përmes së cilit konfirmohet se Beka mban pozita që paraqesin konflikt interesi.
Ndërkaq, anëtarët e Komisionit nga radhët e partive opozitare, Driton Selmanaj, Hajdar Beqa dhe Besnik Tahiri, fillimisht sugjeruan që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për mbledhjen tjetër si dhe kërkuan që për të gjitha këto pretendime të bashkëngjiten prova para se rekomandimi për shkarkimin e Agron Bekës të shkoj në Kuvend.
Pas diskutimeve, Komisioni miratoi propozimin që Beka t’i rekomandohet Kuvendit për shkarkim nga pozita e anëtarit jo-prokuror të KPK-së si dhe të plotësohet dosja me të gjitha provat që u pretenduan nga kryetari Rrustemi.
Agron Beka, më 13 gusht 2022, ishte zgjedhur anëtar jo-prokuror i Këshillit Prokurorial nga ana e profesorëve të fakulteteve juridike. Zgjedhja e tij është bërë pas votimit në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa, sipas legjislacionit në fuqi, shkarkimi i anëtarëve jo-prokurorë të Këshillit, bëhet nga Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, me propozim të komisionit përkatës ose Këshillit.
Ndryshe, në këtë takim të Komisionit u formua Grupi punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.08/L-017 për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Ligjit nr. 08/L-108 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, i cili do të kryesohet nga anëtari-deputeti Besnik Tahiri.
Në fund, Komisioni mori vendim që Kuvendi të shpallë konkursin për zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, një gjyqtar nga radhët e shqiptarëve dhe një gjyqtarë nga komuniteti serb./Drejtësia Sot.