Reagime të shumta ka pasur gjatë ditës së sotme, pas dështimit të Kosovës për t’u bërë pjesë e organizatës policore më të madhe ndërkombëtare në botë, Interpol.
Pozitë, opozitë, analistë e qytetarë kanë komentuar mospranimin e Kosovës në Interpol si një dështim i madh i vendit.
Për këtë disa fjalë kanë dhënë edhe krerët më të lartë të vendit, duke thënë se Serbia ka bërë një luftë të madhe kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Ndërsa, opozita ka fajësuar vet diplomacinë kosovare që nuk mundi t’i marrë votat e nevojshme për anëtarësim në Interpol.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se këtë rezultat e ka sjellë diplomacia e dobët e Kosovës.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka kërkuar të jepet llogari për këtë dështim.
Të njëjtën gjë e ka thënë edhe njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, i cili në një prononcim për Indeksonline ka thënë se nuk mundet kjo situatë të kalojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
“Është shumë dëshpëruese të shohësh gati gjysmën e shteteve që e kanë njohur shtetin e Kosovës që votojnë kundër anëtarësimit në Interpol. Diplomacia kosovare ka dështuar plotësisht dhe për këtë dikush të jep përgjegjësi. Nuk mundet që kjo situatë të kalojë sikurse nuk ka ndodhur asgjë”, ka thënë Mushkolaj.
Sipas tij, lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol i ka kontribuar edhe politika kosovare, sidomos ideja për korrigjimin e kufijve.
“Dita e sotme ishte jo me fat për Kosovën, ku ajo dështoi të bëhet pjesë e organizatës më të madhe ndërkombëtare në botë, Interpol.
Dështimi i Kosovës në Interpol është dështimi më i madh i shtetit, i cili ndodhi në një situatë mjaft delikate për vendin. Natyrisht, Serbia e ka bërë punën e vet duke lobuar që ta parandalojë anëtarësimin e Kosovës, por kësaj i kanë ndihmuar edhe politikanët kosovarë, sidomos presidenti Thaçi me idenë e tij të korrigjimit të kufijve. Si të votosh për anëtarësimin në Interpol të një shteti, tërësinë dhe integritetin territorial të cilin e konteston vetë presidenti i tij?”, ka shtuar ai.
Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë se mos-anëtarësimi i Policisë së Kosovës në Interpol , është dështim i përbashkët i pozitës dhe opozitës.
“Mos anëtarësimi sot i Policisë së Kosovës në Interpol, është dështim i përbashkët i pozitës dhe opozitës. Gjithashtu dështim është edhe për shtetet që e kanë njohur Kosovën e të cilat kanë lobuar për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, por natyrisht që barra bie mbi institucionet vendase. Kjo ka vë në pah se sa mund duhet të bëhet që të binden vendet me të cilat në anën tjetër ka punuar Serbia me to. Kjo është e lidhur në mënyrë direkte me dialogun. Kosova dhe Serbia nuk duhet të pengojnë njëra tjetrën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe të njëjtën gjë e bën Serbia. Nuk e ka asnjë kuptim më dialogu Kosovë-Serbi”, ka thënë ai.
Me votimin e sotëm në Samitin e Interpolit që po mbahet në Dubai, Kosova nuk ka arritur të futet në mesin e 192 shteteve që janë pjesë e kësaj organizate, pasi nuk mori 2/3 e votave.