Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Jakup Krasniqit.
Kërkesën ZPS-ja e ka bërë me arsyetimin se ka mungesë të fakteve për ta liruar Krasniqin.
“Që nga vendimi më i fundit për paraburgim, nuk ka pasur zhvillime që zvogëlojnë faktorët që mbështesin nevojën dhe arsyen për paraburgim”.
“Së vërteti, vazhdimi i gjykimit me dëshminë e dëshmitarit të pesëdhjetë e tretë (53) dhe zhvillimet e tjera në rast shtojnë domosdoshmërinë e paraburgimit”, thuhet në parashtrimin e ZPS-së.
Më 7 gusht të 2023-së, avokatja e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Venkateswari Alagendra, kishte kërkuar që ai të lirohej përkohësisht për të kaluar kohë me familjen e tij.
Përmes dokumentit të publikuar nga mbrojtja në kërkesë thuhej se Krasniqi ndodhej në paraburgim qe 2 vjet e 8 muaj, duke kërkuar që ai të lirohet nën mbikëqyrje.
“Deklaratat publike të z. Krasniqi janë ushtrim i fjalës së lirë dhe jo të mjaftueshme për të treguar një prirje ndaj ndërhyrjes në dëshmitarë”, thuhet në parashtresën e avokates Alagendra.
Në dokument ishte thënë se s’ka arsye të mjaftueshme për ta arsyetuar moslirimin e Krasniqit, dhe se s’ka asnjë provë konkrete se ndonjë dëshmitar është frikësuar nga ish-kryeparlamentari i Kosovës.
“Mungesa e ndonjë prove faktike që z. Krasniqi ka qenë i përfshirë në ndonjë kërcënim të dëshmitarit në këtë procedurë vë në pikëpyetje nevojën për paraburgim të vazhdueshëm”.
“Prokuroria ka thirrur deri tani 11 dëshmitarët e saj të parë. Askush nuk ka folur keq për z. Krasniqi. Provat që Paneli ka dëgjuar nuk e mbështesin atë karakterizimin e z. Krasniqi si person që ka gjasa të ndërhyjë në dëshmitar ose të kryejë krim të mëtejshëm”.
“Për më tepër, është e vështirë të kuptohet se çfarë imagjinon Prokuroria se do të ishte motivimi i z. Krasniqi për t’i frikësuar dëshmitarët e mbrojtur të viktimave në këtë rast shumica dërrmuese e të cilëve, siç do të ketë vërejtur trupi gjykues, nuk e përmendin fare z. Krasniqi ose të thonë thjesht se e dinin se ai ishte ai zëdhënës i UÇK-së”.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.
Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.
Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi.
Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.