Kur të gjitha shtetet po mbylleshin, Suedia dhe disa të tjera rezistonin pasi konsideronin se më e rëndësishme është që shëndeti mental i qytetarëve dhe familjeve të ruhet, se sa mbyllja nga një virus. Sipas tyre, pasojat mund të ishin më fatale nëse shoqëria mbyllet gjatë, pa shpresë se një vaksinë kundër coronavirusit gjendet. Edhe këto ditë ata vazhdojnë të kenë raste me coronavirus, por më të hapur se shtetet tjera.
Në fakt shëndeti mental, në shtete më demokraci të gjatë e të zhvilluar edhe ekonomikisht e shkencërisht, është trajtuar me prioritet. Fushata të ndryshme konsultimi falas janë ofruar nga shteti. Liderët, shoqëria civile dhe mediat janë përpjekur të flasin për nevojën që të punohet në drejtim që njerëzit të mos kenë ankthe, depresion e mendime negative në këtë kohë izolimi. Para dy dite, vetë Duka Williams dhe Dukesha Kate apeluan para disa dite për një fokusim të madh në ruajtjen e shëndeti mendor të popullatës.
Në Kosovë ka kryesisht iniciativa private që janë ndermarrë për t’u kujdesur që të jenë pranë njerëzve që mund të kenë ankthe e stres në kohë izolimi tash më shumë se një muaj. Një grup psikologësh në Kosovë, në emrin NOKTA Group ka hapur një mundësi të shërbimeve psikologjike falas për qytetarët.
Reporteri ka biseduar me Eltira Sadiku, psikologe pjesë e këtij grupi. Në një intervistë për Reporterin, Sadiku thotë se tashmë dhjetëra qytetarë kanë telefonuar për konsulta.
Në vijim gjeni një pjesë të intervistës me psikologen Sadiku. Një pjesë të dytë, me këshilla se si të evitojmë panikun e ankthin, dhe se çka do të thotë izolimi për mendjet tona, do ta publikojmë më vonë.
REPORTERI: Sa njerëz deri tash janë lajmëruar për shërbime psikologjike dhe cilat kanë qenë shqetësimet e tyre?
Sadiku: Bashkë me kolegët e Shoqatës së Psikoterapeutëve të Kosovës kemi themeluar Nokta grup për shërbime psikologjike online Falas, është një grup profesionistësh të shëndetit mendor, ku ka të përfshirë Psikolog, Psikoterapist, Psikiatër dhe Neurolog. Deri më tani dhjetëra qytetarë nga vende të ndryshme kanë marrë këto shërbime, Më datën 03 Prill 2020 ka filluar edhe funksionimi i shërbimit Online Falas, në fushën e Psikologjisë, Psikiatrisë dhe Neurologjisë, me një ekip mbi 15 profesionistësh të dëshmuar në fushat përkatëse si: Mr.Sci. Enver Çesko, Prof. Asc. Dr. Afrim Blyta, Dr. Jusuf Ulaj e shumë të tjerë. Shqetësimet e tyre kanë qenë më shumë: panik, stres dhe depresion.
REPORTERI:A mendoni se i kemi dhënë hapësirë të duhur, investim të duhur si shteti por edhe shoqëria, faktit që duhet një kujdes i shtuar edhe për shëndetin mendor?
Sadiku: Fakti që individët po shkruajnë dhe telefonojnë profesionistët e NOKTA grup, kjo dëshmon se popullsinë e kemi relativisht mirë të informuar për këtë çështje në ruajtjen e shëndetit mendorë. Mirëpo sa i takon shtetit në fushën e psikologjisë, nuk ka qenë shteti i cili ka reaguar për të mobilizuar psikologët por vetëm vullneti i mirë i profesionistëve nga shoqata jonë. Ne si NOKTA grup në mënyrë vullnetare kemi ofruar shërbime psikologjike online falas për të gjitha komunitetet si : Turk, Boshnjakë, Serb, Romë, Ashkali në gjithë Kosovën dhe Diasporën kudo që janë.
REPORTERI: Nga 1 deri në 10 sa mendoni se ka peshë në psikologjinë e njeriut kjo pandemi dhe gjithçka rreth saj?
Sadiku: Nuk mund të them nga 1 deri në 10 sa mendoj se ka peshë kjo pandemi në psikologjinë e njeriut sepse çdo individ është ndryshe prej tjetrit. Njerëzit kanë karakteristika të ndryshme, po ashtu përvojat e tyre jetësore i kanë të ndryshme, gjithashtu edhe mënyra e përballimit të kësaj pandemie është e ndryshme nga secili prej nesh. Personat që kanë siguri financiare, kanë lidhje të mira shoqërore, shëndet të mirë fizik dhe mendor pritet që më lehtë të jetë përballimi ndaj kësaj përvoje që ka përfshirë gjithë botën. Për dallim nga personat të cilët kanë mungesë të këtyre gjërave përballimi mund të jetë më i vështirë. Ndërsa për të ruajtur gjendjen emocionale gjatë ditëve të qëndrimit në shtëpi për shkak të distancimit social është mirë që të ruajmë kontaktet shoqërore në mënyrë teknologjike sepse komunikimi i vazhdueshëm me ta do të ndihmojë në shkëmbimin e ndjenjave me persona që ata i konsiderojnë të afërt dhe mbështeten tek ta.
REPORTERI: Çfarë problemesh mendore mund të vijnë nga kjo situatë, nëse nuk menaxhohet si duhet?
Sadiku: Në mos menaxhimin e duhur gjatë situatës që jemi në izolim individët do të përjetojnë ndjenja të përziera më shumë frikë, ankth, stres, mërzitje, mendime negative po ashtu edhe depresion të shkaktuara nga distancimi social dhe mungesa e aktiviteteve para pandemisë