Mësimdhënësit vazhdojnë të mos jenë të kënaqur me rritjen e koeficientëve në Projektligjin për Paga, i cili është miratuar nga Komisioni për Administratë Publike.
Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, kanë thënë se greva nuk do të ndërpritet përderisa nuk rritet koeficienti për 30 % për këtë sektor, raporton KTV.
Menaxheri për Financa dhe Anëtari i Këshillit Grevist Qendror, Ymer Ymeri, ka deklaruar për KTV-në, se ky projektligj është joserioz dhe Qeveria as që e ka marrë mundin t’i ketë parasysh kërkesat e tyre, ani pse e kishin propozuar uljen e vlerës koeficientit.
Këshilli i Prindërve të Kosovës pritet të mblidhet këtë javë për të marrë vendim.
Ndërkaq, Këshilli i Prindërve të komunës së Prishtinës, nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se nëse ditëve në vijim nuk arrihet një zgjidhje, do t’i inkurajojë prindërit që të shprehin pakënaqësitë e tyre nëpërmjet një proteste të qetë.