Këshilli Drejtues i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 31 korrik 2026, pas shqyrtimit të dorëheqjes së rektorit, Artan Dërmaku, konstatoi përfundimin e mandatit të tij.
Me qëllim të garantimit të vazhdimësisë institucionale dhe funksionimit të rregullt të Universitetit, Këshilli Drejtues, i kryesuar nga Liza Rexhepi, ka zgjedhur Fitore Malaj ushtruese të detyrës së Rektores së Universitetit Publik “Kadri Zeka”.
Fitore Malaj është profesore në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”. Për gjashtë vjet ajo ka ushtruar detyrën e drejtoreshës së Zyrës për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, duke udhëhequr procese të rëndësishme në fushën e zhvillimit akademik dhe të sigurimit të cilësisë. Ajo ka qenë gjithashtu anëtare themeluese e Këshillit Drejtues, ku ka shërbyer për pesë vjet dhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin institucional, strukturat e qeverisjes dhe proceset strategjike të Universitetit.
Në fjalën e saj, ushtruesja e detyrës së Rektores, Fitore Malaj, falënderoi Këshillin Drejtues për besimin e dhënë dhe thekoi se marrjen e kësaj detyre e konsideron përgjegjësi, e jo privilegj. Ajo u zotua se do të angazhohet me përkushtim për funksionimin e mirë të institucionit, avancimin e proceseve akademike dhe zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.
Këshilli Drejtues shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për Rektorin e deritashëm Artan Dërmakun për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë ushtrimit të mandatit të Rektorit, duke respektuar vendimin e tij për të dhënë dorëheqje.
Njëkohësisht, Këshilli Drejtues i uron ushtrueses së detyrës së Rektores Fitore Malajt punë të mbarë dhe suksese në ushtrimin e detyrës së re, duke shprehur besimin se përvoja e saj akademike, drejtuese dhe institucionale do të kontribuojë në vazhdimësinë e zhvillimit dhe funksionimin e suksesshëm të Universitetit.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” do të vazhdojë përmbushjen e përgjegjësive të tij akademike dhe institucionale, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet e brendshme të Universitetit.

