Këshilli Grevist i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit u ka dërguar një letër anëtarësisë për pezullim të grevës.
Në këtë letër propozohet që mësimi të fillojë më 3 tetor dhe se greva të pezullohet deri në janar 2023.
“Duke u nisur nga kjo këshilli grevist i SBASHK-ut bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022. Qeveria vazhdon qasjen e gabuar dhe pas angazhimit edhe të njerëzve me autoritet dhe ardhjes së drejtoreshës së përgjithshme të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE) që ishte zë i grevistëve dhe solli kërkesa në emër të 11 milionë kolegëve nga e tërë Evropa që të realizohen kërkesat legjitime të grevistëve, por Kurti dhe qeveria vazhdoi të dëshmoi se nuk do të zgjidh kërkesat e grevistëve”, thuhet ndër tjerash në letër.
Tutje, ky Këshill thotë se SBASHK-u do ti vazhdojë orvatjet që mësimdhënësve t’u rikthehet dinjiteti përmes dialogut social me qeverinë që të përmbushen kushtet themelore.
“SBAShK do t’i vazhdojë orvatjet që mësimdhënësve t’iu rikthehet dinjiteti përmes dialogut social me qeverinë ashtu që të përmbushen kushtet themelore, të: 1) mbështetjes shtesë të pagës deri në zbatimin e Ligjit për Pagat dhe sipas rritjes ekonomike përfshirë shkallën e inflacionit; 2) plotësim ndryshimit të Ligjit Nr. 04/L 131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, për ta hequr kriterin e 15 viteve kontributdhënëse, 3) plotësim ndryshimit të ligjit të sigurimeve shëndetësore”, thuhet tutje në letër.