Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar sërish për grevën në sistemin arsimor të Kosovës, duke e konsideruar atë si të kundërligjshme.
Nga Këshilli thanë se e drejta e fëmijëve për arsim po shkelet rëndë, dhe është në kundërshtim me vet Kushtetutën sepse sipas tyre, një e drejtë e tillë është e garantuar me Kushtetutë.
Teksa thanë se mbi 300 mijë fëmijëve dhe mbi 600 mijë prindërve, po ju shkelet e drejta me grevën në arsim.
Reagimi i plotë:
E drejta për arsim e fëmijëve po shkelet rëndë!
Pse po themi vazhdimisht që greva e plotë në sistemin arsimor parauniversitar është e kundërligjshme?
Ngase Kushtetuta është në krye të piramidës së legjislacionit, më pas vijnë ligjet e veçanta dhe tutje janë ligjet që i rregullojnë çështjet e përgjithshme.
Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës thuhet?
Neni 47 [E Drejta për Arsimin]
Secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë. Shkollimi i detyrueshëm rregullohet me ligj dhe financohet nga fondet publike.
Në Ligjin Nr. 04/L-032 – Për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës thuhet:
Neni 3 Parimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar
Asnjë personi nuk guxon t’i mohohet e drejta për arsimim.
Arsimi parauniversitar është përgjegjësi e përbashkët e prindërve, institucioneve arsimore dhe aftësuese, komunave dhe qeverisë, sipas funksioneve dhe detyrave përkatëse të përcaktuara në këtë ligj.
Në hierarkinë e legjislacionit, ligji për grevat qëndron nën Kushtetutë dhe nën Ligjin për Arsim. Pra, ajo që po ndodh në Kosovë prej shumë vjetësh, në sy të institucioneve: Presidencës së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës, Gjykatës Kushtetuese dhe Avokatit të Popullit, është që Ligji i Grevave po i tejkalon dhe mbizotëron edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës edhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar.
‼️E papranueshme, e pakuptueshme dhe shumë e dëmshme!
Këto janë shkelje shumë të rënda për të mos u dukur e mos u evidentuar.
Mbi 300 mijë fëmijëve nxënës dhe mbi 600 mijë prindërve po ju shkelet e drejta me grevën në arsim!
Kushtetuta dhe ligjet nuk flasin e as nuk bërtasin kur shkelen.
Njerëzit zyrtarë po, e kanë për obligim.
Thirrini ndërgjegjes dhe përgjegjësisë!