Këshilli i Prindërve i Kosovës ka akuzuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për shpallje të njëanshme të zgjedhjeve për Këshillin e Prindërve në gjithë Kosovën.
Në njoftimin e këtij këshilli thuhet se në maj të këtij viti ministrja Arbërie Nagavci ka urdhëruar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve vetëm një vit pasi është zgjedhur kryesia dhe kryetari i KP Kosovës mandati i të cilëve është katërvjeçar. Sipas këtij këshilli, arsyeja pse Nagavci i ka rishpallur zgjedhjet është pakënaqësia me qëndrimet e Këshillit që lidhen me kundërshtimin e mbajtjes së mësimit të shtunave.
“Por përse znj.Nagavci i rishpalli zgjedhjet, kuptueshëm shtrohet pyetja? Arsyeja kryesore është pakënaqësia e znj.Nagavci me qëndrimet e KP Kosovë ndaj, sidomos, kundërshtimit të mbajtjes së mësimit të shtunave. Dhe, që të hakmerret ndaj dështimit të zëvendësimit të orëve të shtunave, që po ashtu ishte një urdhërim i pabazë, antiligjor e i padrejtë, .inistrja Nagavci ka shpikur ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Këshillin e Prindërve. Sipas urdhrit të saj, meqë ka ndryshuar udhëzimi duhet të ribëhen zgjedhjet. Por gjithkush, që merr vesh nga legjislacioni, e di që asnjë rregull nuk ka efekt prapaveprues. Pra ai justifikim është absurd. Për më shumë, ministrja ka urdhëruar zgjedhje në muajin qershor, diçka që asnjëherë nuk ka ndodhur e nuk duhet të ndodhë”, thuhet në reagim.
Më tej ky këshill thotë se Nagavci po tenton që me diktat të vendosë se kush duhet të përfaqësojë prindërit e fëmijët e Kosovës.
“Ajo çka po ndodh është që Ministria e Arsimit po insiston të kryhet sa më shpejt ky formalitet në shkollat e vendit. Përveç në një shkollë në kryeqytet, ku prej tri javësh i dërgon inspektorët e arsimit për të këqyrur çdo detaj të zgjedhjeve në atë shkollë. Arsyeja është që t’i pamundësohet Kryetarit të KP Kosovë, të rizgjidhet. Në këtë mënyrë znj. Nagavci po harxhon kohë të çmuar të mandatit të saj për të vendosur me diktat se kush duhet të përfaqësojë prindërit e fëmijët e Kosovës, në një strukturë vullnetare. Gjersa inspektorët nuk përmbushin asnjë pritshmëri për cilësinë në arsim, ata zellshëm po merren me këtë çështje”, thuhet në reagim.
Tutje prindërve u është kërkuar që t’i bojkotojnë këto zgjedhje.
“Këto vetëm zgjedhje nuk mund të quhen. Ky është një tentim i pastër për diktat nga Ministrja Nagavci, me një Udhëzim të shkruar siç do e me kë do vetë. Andaj, këto zgjedhje të paligjshme, të paarsyeshme, të padrejta e në kushte diktati në këshillin e prindërve duhen refuzuar plotësisht: në çdo shkollë, në çdo komunë dhe ato në nivel të Kosovës. Vullneti i prindërve nuk do të mund të ndërrohet me diktat”, thuhet më tej në kumtesë.