Nga Këshilli i Prindërve kanë kërkuar që nxënësit sa më parë të pajisen me libra, raporton Gazeta Enigma.
“Të merren të gjitha veprimet e nevojshme që të gjithë nxënësit me 1 shtator të këtij viti të jenë të pajisur me tekste shkollor, çmimi i librit të jetë publik dhe uniform në tërë territorin e Kosovës, kërkojmë nga Ministrja që të sigurohen libra edhe për nivelin e klasave VI-IX”, thuhet në njoftimin e tyre.
Reagimi i plotë:
Këshilli i Prindërve të Kosovës
Sot, me datën 23.08.2023, kryesia e Këshillit të Prindërve të Kosovës (KPK) mbajti mbledhjen e radhës për të diskutuar për çështjen e (mos)shpërndarjes së teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për nivelin e klasave I-IX sipas metodologjisë së viteve paraprake.
Në këtë takim kryesia diskutoi lidhur me gjendjen në të cilën ndodhemi pas njoftimit publik të Ministres znj. Arbërie Nagavci se negocimi për sigurimin e teksteve shkollore ka dështuar, dhe si opsion tjetër për sigurimin e tyre është rimbursimi i shpenzimeve për prindërit përmes platformës e-Kosova.
Këshilli i Prindërve të Kosovës shpreh pakënaqësinë lidhur me vonesat që janë duke ndodhur në procesin e sigurimit të teksteve shkollore, dhe është skeptik se një gjë e tillë mund të realizohet deri me 1 shtator të vitit 2023.
Duke ditur, se tani jemi në një gjendje të re, ku na ndanë vetëm një javë nga fillimi i vitit të ri shkollor, KPK kërkon nga MASHT-i:
– Të merren të gjitha veprimet e nevojshme që të gjithë nxënësit me 1 shtator të këtij viti të jenë të pajisur me tekste shkollor;
– Çmimi i librit të jetë publik dhe uniform në tërë territorin e Kosovës;
– Kërkojmë nga Ministrja që të sigurohen libra edhe për nivelin e klasave VI-IX;
– Kërkojmë nga organet kompetente që të bëjnë me kohë informimin e duhur dhe të saktë për listën e librave që do të aplikohen në secilën klasë.
Duke pasur parasysh problemet që mund të ndodhim me procesin e rimbursimit, KPK rekomandon dhe kërkon nga MASHT-i, që:
– Të krijohet një alternativë e shpërndarjes së librave në atë formë, që prindi të mund t’i marr librat pa pasur nevojë për pagesë, ndërsa Ministria t’i kryej obligimet shtëpive botuese për të gjitha librat e marrë.