Këshilli i Prindërve të Kosovës përmes një reagim është solidarizuar me grevistët teksa ka kërkuar paga për ta.
Në reagimin e tyre thuhet se ky vendim është i kontestueshëm dhe mosdhënia e pagave nuk është veprim aspak i mirë.
Më tej, thuhet se pasojat e mospagesës do të ndikon në denigrimin e rëndë institucional si dhe shtyerjen e diskutimit për cilësinë e arsimit.
Tutje, thuhet se prindërit janë të sëtërlodhur me këtë gjendje të pashpresë në arsim.
Ata kanë thënë se pa pagesat për mësimdhënësit nuk ka kuptim kalendari shkollor.
Këtu keni reagimin e plotë:
PAGAT E MËSIMDHËNËSVE
Për shumicën e prindërve të Kosovës, mosdhënia e pagave nga Qeveria e Kosovës vetëm mësimdhënësve grevistë (ndërsa të punësuarit grevist në sektorët e tjerë janë paguar) është vendim i kontestueshëm ligjërisht, i padrejtë dhe i dëmshëm në shumë dimensione. As kushtëzimi apo riemërtimi i dhënies së pagës nuk është aspak më i mirë, përkundrazi. Për habinë më të madhe as punëtorët teknikë, menaxhmentet e shkollave, mësimdhënëset lehona apo mësimëdhënësit që kanë mbajtur mësim nuk janë paguar. Pra një seri gabimesh, me pasoja juridike, në këtë vendim.
Ndërsa greva ishte akt krejt i paarsyeshëm i SBASHK (dhe në momentin më të keq të mundshëm), mospagesa e mësimdhënësve (së paku jo në afatin ligjor dhe më dëmet juridike të shumëfishta tashmë të realizuara) është përgjigjja institucionale më e padëshiruar edhe nga prindërit.
Pasojat e mospagesës së mësimdhënësve do të reflektohen në fund tek pamundësimi i krijimit të kushteve normale për mësimdhënie, denigrimit të rëndë institucional shtetëror ndaj (vetëm) një kategorie të punësuarish, humbjes së besimit dhe shpresës për shtet të së drejtës por edhe shtyrjen e diskutimit për temën e cilësisë në arsim.
Prindërit janë të stërlodhur me gjendjen e pashpresë të përmirësimit në sistemin arsimor publik në Kosovë dhe presin normalitet, zhvillim, siguri, llogaridhënie e cilësi në arsim. Asnjëra nga këto vazhdon të mos duket askund në horizont.
Pa pagesën e mësimdhënësve nuk ka kuptim as kalendari i ri shkollor (edhe ashtu i përpiluar pa asnjë konsultim me këshillin e prindërve) e aq më pak kompensimi i orëve të humbura nga greva.
Solidariteti ynë me mësimdhënësit për pagat është i plotë dhe i pakushtëzuar.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës nuk po ua lëshon pagat grevistëve për muajin shtator pavarësisht se SBAShK-u ka pezulluar grevën deri në janar.
Ky veprim qeveritar po kundërshtohet ashpër nga subjektet opozitare dhe shoqëria civile.