Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur sot takimin e radhës për Këshillin Konsultativ për Komunitete.
Në njoftimin e presidencës thuhet se në këtë takim u shqyrtuan çështje të rëndësishme që lidhen me nevojat dhe prioritetet e komuniteteve në vend, me fokus në pjesëmarrjen e tyre të barabartë në jetën shoqërore, institucionale dhe ekonomike.
“U theksua se përfshirja e komuniteteve në proceset shtetërore është thelbësore për realizimin e të drejtave të tyre, përfshirë të drejtat sociale, dhe për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse ku çdo qytetar gëzon trajtim të barabartë”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Anëtarët e Këshillit shprehën mirënjohjen e tyre për Osmanin, duke vlerësuar lartë përkushtimin e saj në adresimin dhe përkrahjen e çështjeve të komuniteteve, si dhe gatishmërinë e saj për të qenë gjithmonë pranë tyre në zgjidhjen e sfidave dhe avancimin e të drejtave të barabarta për të gjithë.