Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur sot mbledhjen e 276-të të rregullt, nën drejtimin e Kryesuesit të Këshillit, z. Ardian Hajdaraj.
Në fillim të mbledhjes, anëtarët e Këshillit kanë miratuar procesverbalin e mbledhjes së 275-të të KPK-së.
Më pas, Këshilli ka shqyrtuar ankesën e kandidates anëtare prokurore të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorive themelore, znj. Merita Kurtishi-Gaka, kundër njoftimit të Komisionit Zgjedhor të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe, pas analizimit të dokumentacionit përkatës, ka marrë vendim për refuzimin e kësaj ankese.
Gjatë mbledhjes, Këshilli është njoftuar për arritjen e moshës së pensionimit të dy prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Prizren, znj. Mehreme Hoxha dhe z. Genc Nixha. Në këtë rast, Këshilli ka shprehur mirënjohje të thellë për angazhimin profesional dhe kontributin e çmuar që këta prokurorë kanë dhënë ndër vite dhe ka vendosur që të dërgojë propozimin për lirimin e tyre nga detyra te Presidentja e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Këshilli ka vendosur që të shtyhet për mbledhjen e ardhshme trajtimi i Raportit të Komisionit Zgjedhor për zhvillimin e zgjedhjeve për anëtarin prokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorive themelore, bashkë me disa pika të tjera të rendit të ditës.
#SistemiProkurorial #KeshilliProkurorialKosoves #KeshilliProkurorial #KPK










