Gjykata Themelore në Gjilan, pjesërisht e ka aprovuar kërkesëpadinë e G.L., duke e detyruar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK) që atij t’ia paguajë shumën prej 103 mijë e 900 euro në emër të dëmit material dhe jomaterial, pasi ai ishte privuar nga liria pa të drejtë nga 13 shkurti i vitit 2013 deri më 31 maj 2016, gjëgjësisht 1 mijë e 204 ditë kishte klauar në paraburgim dhe dënimit të paarsyeshëm se ka kryer veprën penale të terrorizmit dhe pjesmarrje në një grup terrorist.
Këtë shumë KGjK është obliguar t’ia paguajë atij, me arsyetimin se paditësi G.L. gjatë qëndrimit në paraburgim ka përjetuar dhimbje shpirtërore, frikë, cënim të autoritetit, prestigjit, nderit, personalitetit dhe lirisë, lëndime trupore dhe dhimbje fizike, e të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Një vendim të tillë e ka marr gjykatësja Florije Qerimi me 13 qershor të këtij viti, ku po ashtu është refuzuar kërkesepadia e paditësit me të cilën ai ka kërkuar për rehabilitimin fiziatriko-psiqik shumën prej 2 mijë e 170 euro, si dhe është refuzuar pjesa tjetër e kërkesëpadisë për kompensimin e dëmit jomaterial mbi shumën e gjykuar si në pikën I të dispozitivit të aktgjykimit në shumë prej 996 mijë euro si të pabazuara.
Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, KGjK është detyruar që paditësit G.L. t’ia paguajë edhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë prej 2 mijë e 348 euro e 80 centë.
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se, paditësi G.L. më 26 gusht 2020, e ka paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), me pretendimin se ai ishte mbajtur në paraburgiim dhe dënimit të paarsyeshëm nga Gjykata Themelore në Gjilan dhe Gjyakta e Apelit nën dyshimin se ka kryer veprën penale të terrorizmit në kundërshtim me nenin 135 paragrafi 1.10 nenit 136paragrafi 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.
Me padi, paditësi kishte kërkuar që e paditura për periudhën e privimit nga liria nga 13 shkurt 2013 deri më 31 maj 2016, për 1 mijë e 204 ditë, t’ia paguajë shumën e përgjithshme prej 1 milionë e 1 mijë e 170 euro, në emër të dëmit material dhe jomaterial.
Në arsyetim bëhet e ditur se paditësi G.L., lidhur me veprat penale të terrorizmit dhe pjesëmarrje në një grup terrorist, fillimisht nga shkalla e parë dhe e dytë ishte dënuar me 5 vite e 6 muaj burgim efektiv.
Lidhur me këtë, paditësi (ish-i dënuari) i ishte drejtuar Gjykatës Supreme me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, ku kjo gjykatë e kishte pranuar si të ligjshme kërkesën e paditësit dhe çështjen përkatëse penale e kishte kthyer në rivendosje, ku pas rigjykimit Gjykata Themelore në Gjilan e kishte liruar G.L. nga përgjegjësia penale dhe këtë e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit. /BetimipërDrejtësi