Konferneca e KGJK-së është ndërprerë pas protestës së njërës nga anëtaret e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Liridona Sijarina, e cila ndërhyri në fjalimin e kryesuesit të KGJK-së, Albert Zogaj, duke thënë se janë pikërisht këta që duhet të arrestohen.
“Kap merrni këta arrestoni, këta duhet me i arrestu, këta janë t’u e thy ligjin. Na nuk shkojmë prej këtu, s’e lajmë me vazhdu kjo konferencë derisa Këshilli Gjyqësor dhe gjykatat nuk marrin përgjegjësi. Këta duhet me u arrestu, qe ku i keni njerëzit që duhet me u arrestu, edhe ndaj tyre merrni masa jo ndaj neve edhe nuk muni me vazhdu me ua majt anën atyre që janë bashkëfajtorë në secilin krim kundër grave. Na nuk tërhiqemi prej kërkesave tona, kjo është protestë e jona, e cila ka me vazhdu edhe në rrugë. Megjithatë, na nuk dojmë me ndi që secili institucion me shfajësu veten. Pe dini kush janë fajtorët, pse nuk po i arrestoni, kapni arrestoni, qeta i keni për me i arrestu edhe nuk i arrestoni, atë detyrë e keni ju”, tha Sijarina.
Polici e luti që mos ta pengojë protestën, por ta lirojë rrugën, por protestuesja vazhdoi të këmbëngulë.
“Edhe ju mos na pengoni me jetu edhe me ec lirshëm, si vajza edhe gra me jetu lirshëm, as na nuk ju pengojmë juve. Na këtu jemi t’u protestu për me e pasë drejtën me ec lirë me jetu lirë, në rastin e fundit me na mbrojt prej shtetit. Shteti nuk po na mbron, edhe ju na drejtoheni neve. Me çfarë të drejte, me çfarë detyre, ku e merrni ju këtë të drejtë, i keni fajtorët këtu edhe merrni me neve, qe ku i keni fajtorët. Ju po dështoni me ju dalë në krah grave edhe po na kërkoni me hjek dorë prej të drejtës me protestu”, shtoi Sijarina.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, teksa filloi të fliste lidhur me rastin e 11-vjeçares, është ndërprerë me fishkëllima.
Organizatorë të protestës kundër dhunës ndaj grave, kanë ndërprerë konferencën e Zogajt, menjëherë pasi filloi të fliste lidhur me rastin e 11-vjeçares, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Meqenëse nuk po lejohej të fliste, kryesuesi Zogaj njoftoi se kjo konferencë ndërpritet përkohësisht, për të vazhduar në një sallë tjetër.
KGJK-ja akuzon Qeverinë se po e shënjestron në mënyrë tendencioze
Prishtinë- Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, në një konferencë për medie tha se Qeveria po e shënjestron në mënyrë tendencioze.
Zogaj teksa foli në lidhje me rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, tha se është e pavërtetë ajo që ka thënë Ministria e Drejtësisë, se nuk ka qasje në statistika.
Ky reagim i KGJK-së vjen pasi Ministria e Drejtësisë përmes një reagimi kishte akuzuar sistemin gjyqësor për mosofrim të qasjes në statistika
Sipas Zogajt, ajo që deklaron MD lidhur me statistikat, është tërësisht e pavërtetë dhe e papranueshme.
Ai përmendi faktin që Ministria kërkon qasje të plotë në evidencat penale, gjë që e konsideron ndërhyrje.
Ndryshe, lidhur me rastin e 11-vjeçares, janë arrestuar 11 persona, prej tyre 5 lidhur me rastin e dhunimit në gusht, kurse gjashtë të tjerët lidhur me trafikimin e viktimës në qershor të këtij viti.
11 të dyshuarit gjenden nën masën e paraburgimit. /BetimipërDrejtësi