Partitë politike mbrëmë publikuan listat me emrat e kandidatëve për deputetë, përjashto NISMA-n Socialdemokrate që një gjë të tillë e bëri sonte.
Vërehet se në të gjitha partitë ka shumë kandidatë të rinj, shumica prej tyre edhe të panjohur për opinionin.
Por ajo që bie në sy është se edhe disa ish-deputetë të legjislaturës së fundit kanë vendosur fare të mos i hyjnë garës për deputet.
Hajredin Kuçi nga Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se me vetë-dëshirë, ka vendosur të mos jetë pjesë e listës për deputet, shkruan Reporteri.net.
Edhe Fatmir Xhelili nga PDK nuk ka kandiduar për deputet në këto zgjedhje, duke thënë se liron rrugë për gjenderatat e reja.
As Ismet Beqiri nga LDK nuk ka rikandiduar për deputet, duke thënë se po i lrion rrugë gjeneratave të reja.
Dorë nga kandidimi ka hequr edhe Fatmir Rexhpi nga LDK i cili paoshtu ka thënë se këtë veprim e ka marrë pasi dëshiron t’i lë hapësirën brezave të rinj.
Gazmend Abrashi nga AAK poashtu nuk ka kandiduar, me ç’rast ka thënë se do të jetë i angazhuar në punë të tjera në parti.
Për herë të parë nga viti 2007, për deputete nuk ka garuar as Donika Kadaj Bujupi, e cila kohëve të fundit ka pasur ftohje të raporteve me AAK-në. /Reporteri.net/.