Tri gra të dëshmorëve në Gjilan kanë pranuar sot çmimin “Heroinat e Qytetit”, nga kreu i kësaj Komune, Lutfi Haziri.
Bëhet fjalë për Fatime Ahmetin (gruaja e Pajazit Ahmetit), Hyrije Baftiun (gruaja e Sahit Baftiut dhe nëna e Kastriot Baftiut) dhe Mevlide Hysenin (gruaja e Ramadan Hysenit), me motivacion për kontributin e dhënë për të mirën e vendit, raporton Mediafokus.info.
Pasi ua lexoi emrat heroinave, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, me plot emocione, tha se këto heroina e obligojnë që të punojnë shumfish më shumë.
“Neve na takon t`i nderojmë ata që kanë dhënë më të shtrenjtën dhe më të çmuarën e tyre, kanë sakrifikuar njerëzit më të dashur të tyre, disa prej të cilave sot janë këtu mes nesh. Këto heroina na obligojnë që, edhe njëqind herë më shumë të punojmë për këtë Tepublikë, sepse gjaku i më të dashurve të tyre bën dritë sot mbi paqen dhe lirinë e Kosovës”, ka thënë Haziri, transmeton Mediafokus.info.
Këto çmime Heroinat e Gjilanit i pranuan sot, në 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës./MediaFokus/