Testi i Arritshmërisë për klasat e nënta do të mbahet më 23 qershor, shkruan Reporteri.net.
Testi do të ketë gjithsej 80 kërkesa (pyetje, detyra), nga gjithsej 9 lëndë dhe do të zgjasë 120 minuta. Për shkak të Coronavirusit duhet të ndiqen një sërë masash: si mbajtja e maskës, distanca, të pastrohen duart me dezinfektues, nxënësit duhet të kenë me vete faculeta, etj.
Në një përgjigje nga Zyra për Informim e Ministrisë së Arsimit, për Reporteri.net kanë thënë se Arritshmëria do të mbahet në të njëjtën kohë për të gjithë nxënësit.
“Në kushte të pandeminë dhe në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Testi i Arritshmërisë do të organizohet në atë mënyrë që të ketë numër sa më të vogël të nxënësve brenda një qendre të testimit dhe brenda klasave të testimit në të njëjtën kohë. Testi i Arritshmërisë 2020 do të mbahet brenda një dite për të gjithë nxënësit”,është thënë në përgjigjen e MASHTI-t.
Ata kanë treguar se testi do të ketë gjithsej 80 kërkesa (pyetje, detyra), nga gjithsej 9 lëndë dhe do të zgjasë 120 minuta (2 orë).
“Në test përfshihen lëndët: Gjuhë shqipe, Gjuhë angleze, Histori, Gjeografi, Matematikë, Informatikë, Fizikë, Kimi dhe Biologji”.
Gjatë gjithë kohës që janë në qendrën e testimit (në ambientet e jashtme dhe të brendshme), të gjithë nxënësit dhe pjesëmarrësit e tjerë janë të detyruar që:
Të mbajnë maskë, duke mbuluar gojën, hundën dhe mjekrën.
Të mbajnë distancë të paktën 2.0 metra me të gjithë personat e tjerë.
Gjatë teshtitjes ose kollitjes të mbajnë të mbuluar gojën dhe hundën me këndin e bërrylit.
Të kenë me vete faculeta xhepi, të cilat mund t’ju duhen në rast të teshtitjes, kollitjes, dezinfektimit apo pastrimit të duarve.
Të dezinfektojnë duart me rastin e hyrjes në klasë dhe daljes nga klasa (dezinfektuesi duhet të jetë i vendosur në klasë).
Të zbatojnë të gjitha rregullat dhe rekomandimet e tjera që kërkohen nga personat zyrtarë të Qendrës së Testimit, të angazhuar për mbarëvajtjen e Testit të Arritshmërisë.
Të zbatojnë të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së që kanë të bëjnë me mbrojtje nga Covid 19.
Në përgjigjen dhënë Reporterit është thënë se kushdo që nuk i respekton rregullat për mbrojtje nga Covid 19 do të largohet nga qendra e testimit dhe nuk do të ketë mundësi t’i nënshtrohet Testit të Arritshmërisë në këtë afat.
Shpallja e rezultatit të këtij testi do të bëhet me datën 30 qershor.