Një kryeministër e ministër non-grata, kthim i Veriut në para-gjendjen e vitit 2004 ku KFOR merr kontrollin e plotë, bllokim i fondeve nga SHBA dhe BE, pasivitet ndaj fushatës së Serbisë për çnjohje, bllokim i proceseve integruese dhe përjashtim eventual i Kosovës nga ndonjë organizatë ndërkombëtare ku veçse është e anëtarësuar. Këto janë disa nga sanksionet të ndara në dy faza që mund të pasojnë nga komuniteti trans-atlantik për Kosovën, nëse kryeministri Albin Kurti refuzon të jap një përgjigje pozitive deri të premten.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan, i angazhuar si i dërguar i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka treguar për ngërçin që aktualisht ekziston me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por ai nuk foli për sanksionet që e presin lidershipin qeveritar të Kosovës dhe rrjedhimisht vetë shtetin nëse deri të premten nuk zhbllokohet situata, ku Kurti do të duhej të pranonte shpalljen e zgjedhjeve të reja, reduktimin e policisë në Veri dhe dorëzimin e draftit të statutit për Asociacionin e kthim në shtegun normalizues.
Albanian Post ka mësuar nga burime diplomatike se sanksionet – si në rrafshin personal për Kurtin dhe një ministër të tij, si në atë shtetëror për Kosovën – do jenë të ashpra dhe të pa-shembullta në historinë e Kosovës./Veriu.info/