PDK për pjesëmarrjen e takimit me kreun e LVV-së, Albin Kurtin ka nxjerr edhe një komunikatë, ku ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim dhe se pret plan konkret për formimin e institucioneve
“PDK rithekson se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Për këtë arsye, pret që z. Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme.”, thuhet në mes tjerash në komunikatën e PDK-së.
Njoftimi i plotë:
Prishtinë, 9 korrik 2026 – Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, diskutoi certifikimin e rezultateve zgjedhore dhe shqyrtoi ftesën e dërguar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.
Partia Demokratike e Kosovës e trajton me seriozitet çdo kërkesë zyrtare që i drejtohet dhe konsideron se çdo iniciativë që synon funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës meriton të dëgjohet dhe të vlerësohet me përgjegjësi, prandaj kryetari Bedri Hamza do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në takimin e nesërm, që të dëgjojë se çfarë zgjidhjeje konkrete ofron z. Kurti për tejkalimin e krizës institucionale.
PDK rithekson se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Për këtë arsye, pret që z. Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme.
Çdo zhvillim i mëtejmë do të varet nga serioziteti i këtij procesi, respektimi i rendit kushtetues dhe gatishmëria për të ofruar zgjidhje konkrete në interes të Republikës së Kosovës dhe jo nga kalkulimet politike apo përpjekjet për ta shpërndarë përgjegjësinë te opozita.
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj politike dhe do të vazhdojë të mbrojë interesin qytetar dhe shtetëror, duke vepruar me përgjegjësi dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. /GAZETA10

