Një kontinier, i cili shërben për mbajtjen e mjeteve ndihmëse ortopedike zbarkoi në oborrin e Qendrës Hendikos në Gjilan. Kontinieri, donacion i KFOR-it gjerman me seli në Prizren, u ndërmjetësua nga KFORI turk në Gjilan, transmeton 2LONLINE.
Kontinieri, tashmë është vendosur në oborrin e objektit të Shoqatës Handikos, qendra në Gjilan, për çka menaxheri Fatmir Shurdhani u shpreh falënderues.
Sipas tij, ky kontinier ishte tejet i nevojshëm, prandaj mjetet ortopedike dhe materiali tjetër do të vendosen në të.
“ Me këtë do të lirohen hapësirat brenda objektit për aktivitete të tjera”, ka thënë Fatmir Shurdhani.
Ndërsa, zyrtari për Informim në KFOR-in gjerman, Ulrich Veen, tha se misioni i KFOR-it gjerman në Kosovë është të kontribuojë në stabilizim, rindërtim dhe përkrahje të vazhdueshme të popullit kosovar, prandaj edhe ky donacion u bë me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës në këtë qendër.
Një pjesë të kontributit në ardhjen e këtij donacioni e pati edhe KFOR-i turk në Gjilan, të cilët nga një vizitë në këtë qendër u informuan për nevojën e një kontinieri të tillë.
Gjithashtu, KFOR-i turk me ekskavatorin e tyre ka bëre grumbullimin e dheut në pjesën e oborrit ku edhe u vendos kontinieri i ri sot.
Kapiten Samed Aydemir u shpreh i kënaqur që ndërmjetësuan këtë donacion dhe falënderoi KFOR-in gjerman për mbështetje dhe që sollën këtë mjet ndihmës në Gjilan.
Për të kryer me sukses dhe vendosur këtë kontinier ishin angazhuar edhe anëtarët e Shoqatës Handikos, duke bashkëpunuar me Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Gjilan.
Me rregullimin e vendit u morën e Handikos-it dhe stafi, ndërsa Drejtoria e Shërbimeve Publike ka siguruar betonin, për punimet në bazën ku u vendos kontinieri.
/Elife Sherifi/