Misioni ushtarak i NATO-s ka njoftuar se sot komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka dhënë autorizim për Forcën e Sigurisë së Kosovës që të zbarkojë në Veri të vendit në kërkim të 33 vjeçarit që u hodh të dielën në Ujman.
KFOR në njoftim ka shtuar se kërkimi në liqenin e Ujmanit për trupin e 33 vjeçarit do të bëhet derisa trupat e KFOR-it do të ofrojnë siguri gjatë gjithë operacionit.
Poashtu, në njoftim theksohet se ky autorizim për FSK-në, i bazuar në arsye humanitare, është dhënë në përputhje të plotë me “prerogativat dhe autoritetet e Komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet e vazhdueshme për të lokalizuar dhe shpëtuar një 33-vjeçar që dyshohet se është mbytur në liqen disa ditë më parë.
Ai është i kushtëzuar nga kërkesat dhe paralajmërimet specifike të përcaktuara nga KFOR-i, të cilat gjithashtu do të ofrojnë siguri gjatë gjithë operacionit”.
Misioni i KFOR ka sqaruar se përdorimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit bie nën mandatin fillestar të FSK-së për kujdes ndaj komuniteteve lokale në rast të fatkeqësive.
“Përdorimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit të FSK-së bie nën mandatin fillestar të FSK-së, i cili përfshin mbështetjen për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”, përfundon njoftimi i KFOR-it.