Në selinë e KFOR-it në Kampin Film City, Prishtinë, sot është mbajtur ceremonia simbolike e inaugurimit të stemës dhe ngritjes së flamurit të KFOR-it XXX, duke shënuar vazhdimësinë e misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë.
Ngjarja u zhvillua në sheshin “Sir Michael Jackson” – të emërtuar së fundi në nder të komandantit të parë të KFOR-it – në prag të ceremonisë së dorëzimit të komandës.
Komandanti në largim, Gjeneralmajor Enrico Barduani, dhe komandanti i ri, Gjeneralmajor Özkan Ulutaş, kryesuan së bashku ceremoninë.
Kjo traditë shumëvjeçare simbolizon tranzicionin e qetë, duke reflektuar përkushtimin dhe lidershipin e komandantit në largim, si dhe gatishmërinë e komandantit të ri për të marrë përgjegjësitë e reja, duke konfirmuar trashëgiminë dhe angazhimin e palëkundur të KFOR-it për siguri afatgjatë në Kosovë.
KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR punon në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre si përgjigjës të sigurisë.