Ushtarë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të angazhuar në kuadër të misionit të KFOR-it, kanë marrë pjesë në një stërvitje intensive për kontrollin e gatishmërisë luftarake dhe menaxhimin e frikës nga zjarri.
Stërvitja është udhëhequr dhe mbështetur nga trajnerë hungarezë të Batalionit të Rezervës Taktike për Kosovën (KTRBN).
Sipas njoftimit të KFOR-it, kjo përgatitje ka për qëllim rritjen e kapaciteteve të reagimit të shpejtë dhe efikas në situata të ndërlikuara në terren.
“Qëndrueshmëria fizike, ajo mendore dhe puna në grup janë thelbësore për të garantuar siguri dhe stabilitet në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it në rrjetet sociale./Periskopi/