KFOR-i turk në Gjilan sot ka qëndruar në Qendrën Operative Emergjente ku është interesuar për menaxhimin që Komuna e Gjilanit është duke bërë me të gjitha ekipet e saj ndër-institucionale për parandalimin e koronavirusit Covid 19.
Në këtë takim KFOR-i është informuar për veprimet që Gjilani ka marrë nën kryesimin e kryetarit Haziri me të gjitha institucionet relevante.
Fadil Kajtazi, NaserKorça e Deniza Limani, kanë potencuar angazhimin që është duke u bërë që nga intervenimet e shëndetësisë primare e deri në nivelin më të lartë të shëndetësisë në Spitalin Regjional dhe Qendrën Regjionale të Shëndetit Publik, duke qenë të mbështetur edhe nga Policia e Kosovës, FSK, inspektorët komunal dhe ekipi i gjerë nga Drejtoritë dhe ndërmarrjet regjionale e komunale.
Gjithashtu, është potencuar edhe angazhimi i kryetarit, Lutfi Haziri, që ka marrë për koordinim dhe bashkëveprim në nivelin regjional, që nga Hani i Elezit e deri në Kamenicë.
U tha, gjithashtu, se deri më tani gjendja është menaxhuar në bazë të ligjit, rekomandimeve të profesionistëve shëndetësor dhe vendimit të kryetarit Haziri, duke besuar se me mbështetjen qytetare e cila është në nivelin maksimal dhe të komunitetit të biznesit, kjo gjendje do të tejkalohet dhe gjithçka do të kthehet në normalitet.