Barrikadat u hoqën dhe veriu u shtensionua, por kërkesa e Serbisë për të vendosur ushtrinë e saj në Kosovë është akoma duke u analizuar. Kështu ka thënë KFOR të marten për Gazetën Express.
Misioni i NATO-s në Kosovë është akoma duke e shqyrtuar kërkesën e Serbisë, të bërë në dhjetor, pas tensionimit të situatës në veri dhe barrikadimin e rrugëve, me mbështetjen e përfaqësuesve politikë serbë.
“Kërkesa e Serbisë në lidhje me vendosjen e trupave të saj është akoma nën ekzaminim”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Para vitit të ri, Gjykata Themelore e Prishtinës ndryshoi masën e paraburgimit të Dejan Pantiqit, në masë të arrestit shtëpiak. Ndonëse deklarivisht, Kryeministri Albin Kurti akuzoi gjyqtarin dhe prokurorin për vendimin e marrë, kjo çoi në zhbllokimin e situatës në veri. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, menjëherë u kërkoi serbëve t’i heqin barrikadat nga rrugët e veriut të Kosovës.
Pak javë më parë, Serbia ia kishte drejtuar zyrtarisht KFOR-it kërkesën, duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Sipas Vuçiqit, kjo kërkesë po bëhej për “t’i mbrojtur” serbët e veriut të Kosovës.
“Ekzaminimi” i gjatë që misioni i NATO-s në Kosovë ia bëri kërkesës së Serbisë ishte befasi, nëse bazohet reagimeve para se ajo të bëhej formale.
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë gjatë një vizite në Prishtinë, në mes të dhjetorit, se amerikanët janë kategorikisht kundër kësaj kërkese të Serbisë.
“Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara”, kishte thënë Escobar.
Profesori amerikan, Daniel Serwer, që përcjell zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë javën e kaluar për Gazetën Express se nuk pret që KFOR-i t’i kthejë ndonjëherë përgjigje Serbisë.
“Dyshoj nëse ndonjëherë do t’i përgjigjen. Është një pyetje që është bërë në formë të provokimit, jo për të marrë përgjigje”, ka thënë ai.