Misioni i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur se janë rreth 25 të plagosur nga kontingjenti shumëkombësh gjatë ndalimit të demonstruesve protestues që ndodhi në komunën e Zveçanit.
Kështu ka bërë të ditur për klankosova.tv zyrtari për Informim i KFOR-it, Col Gallieni.
“Sot pasdite njësitet e KFOR-it janë dislokuar në 4 komunat e veriut të Kosovës me qëllim të frenimit të demonstratave të dhunshme që ndodhën pasi kryetarët e sapozgjedhur ditëve të fundit tentuan të marrin detyrën”.
“Duke iu kundërvënë skajeve më aktive të turmës, disa ushtarë të kontingjentit italianë dhe hungarezë të KFOR-it ishin objekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të marra të cilat rezultuan me trauma me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse”.
Tutje, misioni paqeruajtës shton se ushtarët e plagosur janë duke u trajtuar nga njësitë mjekësore të KFOR-it dhe aktualisht janë nën vëzhgim nga personeli mjekësor i cili po vlerëson gjendjen e tyre.
Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuccia, personalisht është duke e përcjellë zhvillimin e situatës dhe ka shprehur ngushëllimin e tij për burrat dhe gratë e misionit të lënduar gjatë përleshjeve.
Ai ka theksuar se sulmet e paprovokuara ndaj njësive të NATO-s janë të papranueshme dhe se KFOR-i do të vazhdojë ta përmbushë mandatin e tij në mënyrë të paanshme.