Vitet nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ishin shumë të rënda për sportin kosovar në përgjithësi, ndërkohë që edhe loja e hendbollit po vazhdonte aktivitetin në kushte shumë të vështira, ngase hendbollistët kosovarë ishin përzënë nga palestrat sportive dhe aktivitetin e tyre po e zhvillonin në fusha të hapura.
Në këto vite, fusha e sporteve të vogla e Shkollës Fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan ishte shndërruar në arenë në të cilën lojërat e tyre i zhvillonin shumë klube kosovare dhe pikërisht në këtë fushë janë zhvilluar garat më me rëndësi e kontribut të madh në këtë kohë kanë dhënë ata që i dolën në ndihmë hendbollit, siç ishin Mexhit Devaja, Afrim Kçiku e Abdylhaqim Ismaili.
Sidomos i rëndë ishte viti 1998, kur në Kosovë po vinte erë baroti, kurse në këtë kohë KH Drita kishte ekipin e saj më të mirë, të përbërë nga lojtarë me përvojë, të gjeneratës së mesme dhe lojtarë të rinj, të cilët me plot sukses ishin inkuadruar në ekipin e parë.
Më 1988, KH Drita ishte ekip kampion, por sikur mbeti me gjysmëkurorë të titullit të kampionit në vitin 1998, kohë kur lufta kishte plasur në Kosovë.
KH Drita (1998). Në këmbë. Abazi, Murtezi, Jetishi, Mustafa, Hoxha, V. Mustafa, Dindari, Gashi, Shkodra.
Ulur: Myrtaj, Krasniqi, Gjinolli, Sllamniku, Shahini.