Klubi i Hendbollit Drita prej stinorit të ri do të jetë pjesë e Superligës së Kosovës në Hendboll. Ekipi kaltër e bardhë pa asnjë humbje është shpallur më i miri dhe me plotë meritë në Gjilan sërish do të luhet hendbolli elitar. Ishin 14 ndeshje të KH Drita, përfshirë edhe të sontmen me Lepencin e Kaçanikut, ishin gjithashtu 14 fitore që kanë vlerën e rikthimit të KH Drita në Superligë.
Me një kryesi punëtore, hendbollistë që dinin qëllimin dhe përkushtim të pashoq, Drita ka shndritur e pa dyshim se një meritë të vecantë e ka kryetari i klubit Arsim Halimi, i cili pas fitores së ekipit të tij ndaj Lepencit me rezultat 41:36 ka deklaruar se u arrit qëllimi i rikthimit në elitë edhe atë në një rrugëtim shumë të vështirë, andaj ai ka thënë fjalë miradie për kryesinë e klubit, shtabin teknik dhe lojtarët, por edhe për të gjithë adhuruesit e hendbollit.
Pikërisht në mbrëmjen e kësaj të shtune në Palestrën e Sporteve në Gjilan “Bashkim Selishta – Petriti” është ngritur lart edhe Kupa që i takon kampionit të Ligës së Parë të Kosovës në Hendboll e në stinorin 2022/2023 një titull të tillë e fitoi KH Drita.