Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas publikimit të pjesës së dytë të përgjimit të bisedës në mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simiqit nga Lista Serbe.
Në reagimin e saj, Kica-Xhelili ka thënë se Kusari-Lila nuk është protagoniste këtu, por ndërmjetësuese.
Sipas saj, në Grupin Parlamentar të LVV-së askush nuk guxon të flasë me askënd pa ‘bekimin nga lart’.
“O jo, jo. E keni huqë! Nuk jeni taku “veç me Listën Serbe” por keni fol me Radojçiçin, që është futur në listën e zezë të SHBA-së, dhe atë PASI që e kanë futur. Jo një por DISA herë! Relativizojeni sa të doni. Asgjë nuk e zhbën demaskimin që po ju ndodh”.
Tutje, deputetja opozitare ka thënë se LVV-në nuk e shpëton më asnjë referencë e të kaluarës sepse “ju e keni sabotuar të tashmen e të ardhmen në të njëjtën kohë që keni demaskuar qenien tuaj të të gjitha kohërave”.
“Besa s’e keni huqë hiç. Aspak! Shumë mirë po e dini çka ka ndodhur. Prandaj krejt ky panik!”, ka përfunduar ajo.