Doarsa Kica-Xhelili është bërë deputetja më e përfolur në dy ditët e fundit, pas vendimit të saj për të kaluar në LDK nga partia Guxo. Ajo, sonte, për herë të parë po rendit arsyet e daljes së saj nga partia ku e nisi karrierën politike.
Si një ndër arsyet e para që ka dhënë deputetja, është mungesa e një identiteti të partisë ku përkiste. Ajo ka aluduar se pas shkuarjes në Presidencë të Vjosa Osmanit, Guxo humbi orientimin.
Ajo ka thënë se vlerë e vetme që mbeti në Guxo është “se ishim rugovistët e vërtetë”. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme, ka shtuar ajo.
“Aktualiteti ndryshon, ndryshon rrjedha, ngjarjet. Kam hyrë në Listën Guxo me besimin që kam çka të jap në politikën kosovare. Nuk ka qenë shumë e rëndësishme ku, sa kam pasur bindjen që kam cka të ofroj. Ajo (Vjosa Osmani) u zgjodh presidente, e kemi ditur që do të zgjedhej presidente dhe Lista Vjosa nuk do të ishte e njëjtë pa Vjosa Osmanin”, ka thënë ajo në Klan Kosova.
Ajo ka thënë se qëllimi nuk ishte diferencimi nga Vetëvendosje, por gjetja e një pozicioni të qartë të Guxo.
“Kam dashur që ta dimë ku qëndrojmë ne dhe si qëndrojmë ne, jo vetëm të diferencohemi Vetëvendosje. Kur pyesja cfarë na bënë neve të ndryshëm… duhej ta kuptonim se a jemi vlerë e shtuar në politikën kosovare”, ka thënë ajo.