Realizimi i një projekti filmik para së gjithash nënkupton një përgatitje relative praprake me akterë të shumë fushave nga artet skenike që janë të ndërvarura njëra me tjetrën. Duke i anashkaluar në këtë rast shumë nga sektorët që përbëjnë ekipin e filmit si: Sektori i kamerës, sektori i tonit, pastaj sektori i skenografisë, ai i kostumografisë, sektori i produksionit etj, në vijim po fokusohemi te sektori i regjisë që njëkohësisht përbëhet prej shumë njerëzve profesionistë.
Nga: Xhemail Veseli
Sektori i regjisë së filmit
Përbëhet nga shkrimtari gjegjësisht skenaristi, shkruesi i skenarit, lektori, kompozitori, aktorët e roleve episodike, kaskaderët, dublerët e statistët; shkruesi i dialogjeve, konsultuesi(të) etj.
Rrethi i dytë i kabinetit të regjisë përbëhet nga: regjisori (supervizor), regjisori i ekipit të dytë, bartësit e roleve kryesore, armëtari, pirotekniku, montazhuesi i muzikës, asistenti i montazhës, montazhuesi i fotografisë, sekretari i regjisë, asistentët e regjisorit etj. Rethin e fundit të hallkës së bashkëpunëtorëve të ngushtë të regjisë e përbëjnë: regjisori kryesor dhe ndihmës regjisori.
Kjo armatë njerëzish është pjesa e ekipit të filmit që përbëjnë vetëm sektorin e regjisë, të gjithë profesionistë të lëmive të vecanta. Të gjithë këta profesionistë që më parë i dijnë rolet dhe detyrat e tyre dhe kanë pothujse secili me secilin relacione të ndërvarura. I gjithë ky relacion është në harmoni me idenë kryesore të filmit që manifestohet nëpërmjet një hierarkie të këtij sektori që kulmon tek regjisorin kryesorë.
Puna e regjisorit me secilin nga ta vec e vec nuk lidhet vetëm me momentet e xhirimit por fillon shumë më herët me skenaristin dhe shkruesin e dialogjeve për të ardhur deri tek drafti final i skenarit. Ka raste kur skenari pranohet nga kompania që realizon filmin, por preferohet të kalojë nëpër ‘duartë e regjisorit si një lloj filtri paraprak.’
Që nga fillimi deri në fazën e ashtuquajturit “drafti final” regjisori dhe skenaristi konsultohen vazhdimisht për secilën nga skenat, pamjet, sekuencat e deri te detajet më të vogla që mund të parashihen.
Duke u fokusuar në relacionet skenarist – regjisor – aktorë është evidente se nga ideja deri te finalizimi i një projekti filmik ekziston një bashkëkoordinim, i cili varësisht nga nevoja, herë – herë ndërpritet. Në këtë kontekst padyshim se relacioni skenarist – regjisor përbën hapin e parë apo idenë e skenarit. Është më se i domosdoshëm bashkëpunimi paraprak mes akterëve të këtyre fushave. Por gjithnjë shtrohet pyetja deri në c’masë apo c’nivel do duhej të thelloheshin ato raporte? Përgjigja duket të jetë shumë e thjeshtë: ato raporte do të duhej ndërtuar varësisht nga aspiratat për projektin kinematografik.
Është e pashmangshme t’i iket përceptimit paraprak të faktorëve që ndikojnë në vet aspiratat për një projekt kinematografik. Në këtë kontekst çështjet kalojnë në një rrafsh tjetër, në atë psikologjik, e që kanë të bëjnë me synimet finale të bartësve të krijimit të projektit filmik.
Njëri nga faktorët kryesor për synimin se cfarë do të jetë një projekt kinematgografik është kostoja që paraqitet si domosdoshmëri fillestare. Kjo ndodhë në ato mjedise apo vende ku është arritur një shkallë e kënaqshme e zhvillimit dhe organizimit prodhues kinematografik. Duke mos i anashkaluar aspiratat e prodhuesëve të filmit në vendet e zhvilluara, por duke i marrë si model, patjetër se fokusi do duhej të kthehej në vet konceptin e projektit, bazuar me kushtet materiale që ofrohen për një projekt të tillë.
Ideja e filmit
Ideja për një film mund të shihet në disa mënyra nga disa akterë. Ajo mund të jetë rrjedhojë e një situate të caktuar në shoqëri; një fenomeni të vecantë që aspirohet të sendërtohet në rrëfim ose edhe një qëllimi. Në realizimin e një ideje të caktuar mund të inkorporohen mendime paraprake të disa artistëve profilesh të ndryshme që do të rezultonin me vendimin përfundimtar për hapin e parë, d. m. th. rrëfimin apo shkrimin e skenarit.
Në shkrimin e skenarit mund të jetë vetëm një apo edhe më shumë se vetëm një autor, të cilët punojnë në grupe. Kjo dukuri ka rezultuar shumë pozitive në praktikë, në vende të ndryshme me shkallë të kënaqshme të zhvillimit të kinematografisë, pasi ka ndikuar në ngritjen e besueshërisë paraprake profesionale mes autorëve dhe kompanisë që realizon filmin.
Është evidente që cdo analogji, kudo në botë, bëhet në raport me industrinë amerikane të filmit si më e avancuar. Kjo analogji dhe ky përceptim, madje edhe në vet hapin e parë të filmit që nënkupton shkrimin e skenarit, duhet të jetë i bazuar. Për të ardhur deri tek një konkluzion sa më i saktë për metodologjinë e krijimit të një projekti të tërësishëm kinematografik, qoftë film të metrazhit të shkurtë apo të gjatë, para së gjithash duhet të konstatojmë vec e vec rolin dhe rëndësinë e secilit nga këto segmente që janë pjesë të pandashme me njëra – tjetrën, por vetëm në aspektin teknik.
Skenari
Ndonëse termi “skenar” në fillim është menduar në përshrim të shkurtë të përmbajtjes së cdo skene në shfaqje, të cilën aktorët do të duhej ta luanin, (shek. XVIII, teatri “Del Arte”), më vonë, në vet teatrin ky term pësoi ndryshime në vet etimologjinë e fjalës, duke u nënkuptuar si përshkim i saktë e preciz mbi veprimet që do duhej të realizoheshin në skenë.
Për dallim nga teatri, emërtimi i formuluar “skenar” sot njihet si terminologji që i takon ekskluzivisht filmit dhe televizionit e që nënkupton përshkrimin paraprak të filmit të ardhshëm apo projektit televiziv. Skenari përshkruhet nga aspekti vizuel me fokus të vecantë në tekstit që do të dëgjohet si pjesë e situatave të caktuara, kuadrave, skenave apo sekuencave që krijohen në ndërtimin e gjithmbarshëm të rrëfimit në film.
Në pjesën vizuele të skenarit hyjnë edhe përshkrimi i karaktereve të personazheve të caktuara, objekti ose vendi i ngjarjes, ambienti, atmosfera që mbretëron, si dhe të gjitha manifestimet e jashtme që janë të lidhura me mundësinë kreative të përshrimit të ngjarjes, e që më vonë, në pjesë tjera të sektorëve tjerë do të adaptoheshin dhe harmonizonin edhe pjesët muzikore në atë që njihet si faza e postproduksionit, e cila është kaptinë në vete, por që skenaristi mund edhe ta përshkruaj në raste të caktuara.
Është evidente që autori i skenarit herë – herë edhe mund t’i referohet ndonjë pjese narrative nga ndonjë pjesë libri apo tregimi të dëgjuar ose lexuar, por vetëm atëherë kur konsideron se ajo pjesë do të përshtatej me tërësinë e skenarit. Por, para së gjithash, në ato raste skenaristi do duhej që të ‘harronte’ metodologjinë e “mbledhësit të fjalëve” që është shprehi e natyrës së punës së tij profesionale, për të pretenduar perfeksionimin e krijimit fotografisë së ngjarjes. Pra, është domosdoshmëri që skenari, gjegjësisht skenaristi, të mos i orientoj mendimet në fotografi, por të mendoj saktësisht për fotografinë me të cilat do ta zhvillojë ngjarjen.
Regjisori
Është personi i profesionalizuar i cili është strumbullar i projetit filmik. Ai bazohet në një mori faktorësh determinues të projetit, duke filluar nga mjetet teknike e teknologjike për t’i vënë në funksion të idesë dhe temës së filmit, e që është pjesë plotësisht autonome profesionale e tij.
Regjisori mund të jetë, por jo patjetër, autor ose bashkë-autor i skenarit. Ai është i obliguar që të shkruaj librin e xhirimit sipas konditave të skenarit dhe t’i japë “vulën e fundit” individualitetit dhe kreativitetit të tij, dhe me këtë rast, në një mënyrë ose tjetër, regjisori e trajton skenarin si pjesë së stilit dhe individualitetit personal. Ai njëkohësisht bënë edhe ndarjen e roleve gjegjësisht punës së aktorëve; udhëheqë me ekipin e xhiruesëve, me montimin dhe tonin e filmit etj. Në tërë këtë pjesë të punëve të tij, fazën më të rëndësishme regjisori e ka gjatë procesit të xhirimit. Në ato raste aranzhon skenat para kamerës, planet e xhirimit dhe tërë kompozicionin e kuadrave, gjithnjë në bashkëpunim me xhiruesit. Ai njëkohësisht udhëheq ekipin e aktorëve duke synuar nxjerrjen në pah të anës emocionale të personazheve përmes reaksioneve, me synim primar arritjen e kulmit dramatik në momente të caktuara. Regjisori poashtu ia shfaqë mendimin e tij skenografit, kostumografit dhe kompozitorit të angazhuar për kompozimin e muzikës së filmit.
Secili regjisor ka casjen e tij të vecantë për tema të caktuara, mënyrën e tij të paraqitjes, narracionit, xhirimit, montimit dhe tonimit të kuadrave, kështu që të gjitha këto së bashku përbëjnë stilin e vecantë të secilit regjisor vec e vec.
Aktori
Nuk është specifike që aktorët vetëm të prezantojë apo interpretojë tekstin, por edhe të tregojë ngjarje. Është e patjetërsueshme që loja e aktorit të jetë e varur nga puna e regjisorit dhe xhiruesit. Këtu hyjnë pozita e kamerës në raport me të, ndricimi dhe shumë faktorë që udhëhiqen nga ana e regjisorit. Aktori fokusohet në film më shumë me anë të paraqitjes fizike e emocionale në krahasim me tonin që është më pak i rëndësishëm për të. Me kreativitetin dhe afinitetet e tij, aktori mëton që sa më shumë të gjasoj me karakterin e personazhit që është paraparë sipas skenarit.
Padyshim që aktori është ‘ajka’ e një projekti filmik marrë parasysh faktin që është i vetmi nga ky ‘konglomerat profesionistësh’ që shihet në film. Ndaj është evidente se ai koncentrohet maksimalisht në interpretim, gjestikulacione, mimikë, paraqitje fotogjenike, pamje të jashtme, besueshmëri, natyralitet dhe cdo gjë që ka të bëjë me natyrën psikologjike të karaktereve të caktuara. Karakteristikë e lojës së aktorit padyshim se është interpretimi sa më natyral për të krijuar përceptim sa më real besueshmërie. Është e kuptueshme që audienca nuk mund të mashtrohet me paraqitje ‘kuturu’ dhe se jetëgjatësia e një personazhi varet krejtësisht nga paraqitja sa më origjinale e aktorit.
Derisa aktori i skenës teatrore interpreton pjesët e tij pa ndërpre, kjo nuk ndodhë edhe tek aktori i filmit, gjë që padyshim shkakton probleme të paraqitjes, por aktori “i rryer” i tejkalon ato dallime pa u vërejtur fare për ndryshime eventuale emocionale nga skenat paraprake që mund të kenë ndodhë mbase edhe ditëve të mëhershme të xhirimeve. Në ato raste aktori është ai që duhet të përqëndrohet maksimalisht të vijoj harmoninë emocionale nga skenat paraprake, duke pas parasysh që mund të jetë i vetmi që mund të mbajë mend deri në detaje pjesët e tij të paraqitjes së mëhershme. Edhe aktori gjatë procesit të xhirimit duhet të mbajë vet logari për shumë faktorë të vecantë që lidhen me paraqitjen e drejtpërdrejtë në raport me kamerën.
Është evidente se puna e aktorit varet shumë edhe nga konsultimet paraprake me regjisorin duke dhënë vlerësime të arsyeshme mbi pjesët e tij në raport me konceptin e gjithëmbarshëm të idesë së regjisorit, e njëkohësisht, duke u njoftuar me idenë dhe strukuturën e gjithmbarshme të projektit filmik dhe synimet e regjisorit.
Sipas këtyre kritereve, me analogjinë e logjikës matematike, vijmë te konstatimi se filmi përbëhet prej dy krahëve (skenaristë dhe aktorë), bazës së trekëndshit (regjisori) dhe elementeve të brendshme të tij të shumtë që mund të përkufizohen si shkalla e këndit, lakore të caktuara, korda, segmente, diagonale etj, ose në gjuhën e filmit, kameraman, skenograf, kostumograf, tonist, ndricues, shminker-masazher etj.
Mbi të gjitha, sikurse tek trekëndshi këndrejtë që është e patjetërsueshme Teorema e Pitagorës ku shuma e katrorëve të tij e ndërtuar mbi katetet të jetë e barabartë me katrorin e ndërtuar mbi hipotenuzë, poashtu edhe tek filmi është e patjetërsueshme që tërë këta profesionistë të bashkëveprojnë si një tërësi organike dhe sipas normave të ndërtuara të filmit, duke bashkëpunuar ngushtë me epiqendrën e filmit – regjisorin, si dhe katetet – apo akorët e skenaristin. Në anën tjetër nuk është e domosdoshme që relacioni aktorë – skenarist të jetë shumë i theksuar sepse ata kanë vetëm një pikë të përbashkët, majen e trekëndshit që i bashkon (regjisori). Por gjithësesi që konsultimet apo sygjerimet e ndërsjella janë shumë të rëndësishme për projektin final kinematografik.